Rreth 100 persona, përfshirë disa fëmijë, rrezikuan jetën duke u përpjekur të notonin nga Maroku në enklavën veriore afrikane të Spanjës, Ceuta, ndërsa autoritetet e territorit paralajmëruan se sistemi i tyre i pritjes, i mbingarkuar, ishte afër kolapsit.
Javët e fundit është vërejtur një rritje e numrit të personave që përpiqen të arrijnë Ceutën, me më shumë se 50 fëmijë që notuan nga Maroku vetëm më 26 korrik, raporton The Guardian.
Në përpjekjen e fundit, të shtunën në mëngjes, dhjetëra persona u kapën ndërsa përpiqeshin të hynin në enklavë. Shtatë fëmijë arritën në breg, ku iu dorëzuan autoriteteve rajonale.
“Rreth 100 persona u përpoqën të hyjnë, duke shfrytëzuar kushtet me mjegull, të cilat e bëjnë të vështirë të vëzhgosh njerëzi. Por ata nuk arritën sepse forcat e sigurisë marokene dhe garda e Spanjës, duke punuar së bashku me anijet e shpëtimit, i penguan të arrinin në Ceuta”, tha një zëdhënës i delegacionit të qeverisë qendrore spanjolle në Ceuta.
Megjithatë, ai konfirmoi mbërritjen e shtatë fëmijëve.
Muajin e kaluar, Juan Rivas, presidenti konservator i qytetit autonom, tha se Ceuta ishte “krejtësisht e mbingarkuar” nga numri i migrantëve të rinj që po pritnin, dhe kërkoi që rajonet e tjera spanjolle të marrin disa nga fëmijët.
“Ne jemi një territor që përfshin 20 kilometra katrorë nga 500,000 kilometra katrorë që përbëjnë gjithë Spanjën, por ne marrim 3 për qind të të miturve”, tha Rivas për El Pais.
“Kush nuk e kupton që kjo është një situatë e papërballueshme? Situata në Ceuta është një kolaps dhe kjo paraqet një rrezik shumë serioz kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj të miturve dhe për qytetin në tërësi”.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin të Kombeve të Bashkuara, 572 persona vdiqën ose u zhdukën vitin e kaluar duke u përpjekur të arrijnë Spanjën nga Afrika e Veriut, ndërsa 155 persona kanë humbur jetën deri tani këtë vit, prej të cilëve shtatë janë fëmijë.