Ballina Bota 43 arrestime në një natë! Trump paralajmëron qytetet demokrate: Ndryshoni ligjet ose...

43 arrestime në një natë! Trump paralajmëron qytetet demokrate: Ndryshoni ligjet ose do ndërhyj

20
0

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do t’i kërkojë Kongresit mbikëqyrje afatgjatë mbi Departamentin e Policisë së Uashingtonit, ndërsa paralajmëroi se qytetet e tjera me kryetarë bashkie nga radhët e demokratëve duhet të ndryshojnë ligjet për të lehtësuar “federalizimin” e sigurisë.

Këto deklarata u bënë pasi Shtëpia e Bardhë mori përgjegjësinë për dhjetëra arrestime të kryera gjatë natës në Uashington D.C., si pjesë e fushatës së Trump për të luftuar atë që ai e cilëson si një “krizë kriminaliteti”.

Megjithatë, autoritetet lokale e mohojnë ekzistencën e një krize të tillë. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e kriminalitetit në Uashington ra vitin e kaluar në nivelin më të ulët të 30 viteve të fundit, megjithëse kryeqyteti ende përballet me nivele më të larta të disa krimeve të dhunshme krahasuar me qytete të ngjashme.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se 43 arrestime u kryen të martën në mbrëmje, dyfishi i arrestimeve të natës paraprake, edhe pse nuk është e qartë se sa është kjo krahasuar me një natë të zakonshme.

Në operacion morën pjesë mbi 1,450 efektivë policie, gjysma prej tyre nga policia e qytetit. Ndërkohë, vetëm 30 trupa të Gardës Kombëtare u aktivizuan nga rreth 800 që ishin paralajmëruar nga Departamenti i Mbrojtjes.

Presidenti Trump aktivizoi një ligj të papërdorur më parë, i cili i lejon qeverisë federale të marrë kontrollin e policisë së një qyteti. Megjithatë, për të zgjatur këtë kontroll përtej 30 ditëve të lejuara me ligj, do të nevojitet miratimi i Kongresit.

“Do të legjislatojmë fillimisht në Uashington, dhe më pas në gjithë vendin, për të ndalur këto praktika,” tha Trump, duke përmendur në mënyrë të veçantë New York-un, Çikagon dhe Los Anxhelosinm qytete të drejtuara nga kryetarë bashkie demokratë.

Trump gjithashtu kritikoi përpjekjet për ta kthyer Uashingtonin në një shtet të ri, duke e cilësuar atë si një manovër të demokratëve për të siguruar dy senatorë shtesë.

“Shndërrimi në shtet është një absurditet. Ne duam të vendosim rend,” përfundoi Trump.