Nga Eduard Zaloshja
Nga të dhënat zyrtare rezulton se numri i automjeteve të regjistruara me targa shqiptare është trefishuar në dy dekadat e fundit. Ndërkohë, sasia e karburantit të zhdoganuar është rritur vetëm 30%…
Mesatarisht një automjet aktiv më 2005 konsumoi rreth 1450 litra karburant në vit. Ndërsa sot sasia e karburantit të konsumuar mesatarisht nga një automjet aktiv është përtej përgjysmuar – ka zbritur në rreth 630 litra karburant në vit (630 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 1 milion automjete aktive).
Në qoftë se të dhënat zyrtare janë të sakta dhe nuk ka patur evazion fiskal në dogana, i bie që ose është dyfishuar efikasiteti i përdorimit të karburantit, ose janë përgjysmuar kilometrat e përshkuara mesatarisht nga çdo automjet.
Në fakt, të dyja këto hipoteza nuk qendrojnë.
Së pari, është e vërtetë që përmirsimet në cilësinë e karburantit dhe në cilësinë e automjeteve sjellin rritje të efikasitetit në konsumin e karburantit. Por edhe vendet më të përparuara nuk kanë arritur të kenë rritje të efikasitetit më shumë se 10% përgjatë dy dekadave. Ndërsa ne e paskemi dyfishuar efikasitetin e përdorimit të karburantit brenda dy dekadave!!!
Së dyti, kilometrat e përshkuara mesatarisht nga një automjet aktiv nuk kanë si të jenë përgjysmuar, krahasuar me vitin 2005. Gjatë kësaj kohe janë shtuar dhe përmirësur ndjeshëm rrugët në mbarë Shqipërinë, e si rrjedhim janë shtuar ndjeshëm udhëtimet turistike brenda vendit si në verë edhe në dimër (numri i dhomave të hoteleve është trefishuar në gjithë vendin).
Krahasuar me 2005-ën, automjetet mund të kenë përshkuar mesatarisht më shumë kilometra, e jo t’i kenë përgjysmuar ato…
Analiza e mësipërme na çon tek shtegu më i mundshëm: evazoioni fiskal në dogana.
Për të furnizuar 1 milion automjetet aktive nevojitet shumë më tepër karburant se sa zhdoganohet. Se sa më tepër nuk mund të matet me saktësi, sepse duhen të dhëna të hollësishme mbi markat dhe vjetërsinë e automjeteve, si dhe mbi kilometrat e përshkuara nga to.