Nga Alba Kepi
Financierët e Komandës Provinciale të Gardës së Financës së Breshias, pas një hetimi kompleks dhe të koordinuar nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Breshias, kanë ekzekutuar një vendim për sekuestrim parandalues, me qëllim konfiskimin e zgjeruar për shkak disproporcioni, ndaj një shtetasi me origjinë shqiptare.
Sekuestrimi ka përfshirë pasuri me vlerë mbi 700 mijë euro si para cash, njësi banimi, kuota kompanie, mjete dhe llogari financiare, të gjitha të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me të dyshuarin.
Hetimi ka përfshirë verifikime të detajuara ekonomiko-pasurore dhe mbi të ardhurat e tij dhe të familjes, duke zbuluar një mospërputhje të qartë midis standardit të jetesës dhe të ardhurave të deklaruara pranë Administratës Tatimore.
Roli i të dyshuarit u konfirmua përmes një pune hetimore të thelluar, që përfshiu: analizën e të dhënave bankare. kontrollin e pasurive, përgjimet telefonike dhe ambientale, si dhe shqyrtimin e flukseve financiare të dyshimta të konstatuara gjatë operacioneve.
Guardia di Finanza e ka cilësuar këtë veprim si pjesë të përpjekjeve të përditshme për të goditur pastrimin e parave dhe kriminalitetin e organizuar, me synim mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme dhe të sistemit financiar të vendit./ syri