Ballina Editorial Kur regjimi sundon me anë të ligjit!

Kur regjimi sundon me anë të ligjit!

0
25

Nga Irena Beqiraj

Një debat interesant është zhvilluar pak kohë me parë mbi faktin: A kemi një diktaturë liberale në Shqipëri?!
Unë do ta quaja, “diktaturë të Heshtur”.

Në diktaturat e heshtura nuk ka luftë, as grusht shteti, as revolucion. Ka zgjedhje, ka parti, ka gjykata, ka media, për çfarëdo ndodh në përditshmërinë e një kombi ka debat në media e rrjete sociale, ka edhe mendime ndryshe.

Asgjë nuk duket e gabuar apo jo normale në sipërfaqe.
Ama nën sipërfaqen që duket tërësisht normale, diktatura në emër të sundimit të ligjit, instalon sundimin me ligj.

Nëpërmjet kësaj strategjie, regjimi konsolidon pushtetin e tij dhe pretendon para zgjedhësve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, se ndryshimet ligjore u janë nënshtruar proceseve të duhura të konsultimit dhe transparencës.
A kemi kërkuar gjithmonë sundimin e ligjit? Atëherë ligji po përdoret për të na sunduar!

Fuqia për të përqëndruar burimet, si përdorimi i tokës apo të drejtave të tjera në pak duar, bëhet me ligj. Me ligjet e investimeve strategjike, qerave 1 euro, apo ligjet me emra të veçantë. U vra liria e tregut edhe konkurenca dhe në vend të lirë u formëzua oligarkia civile.
Pra, ekonominë që kemi sot, ku nga një anë një grusht investitorësh strategjikë ofrojnë resortet, universitetet, shërbimin financiar, tregëtinë hidrokarbure, transportin ndërkombëtar kullat e larta dhe nga ana tjetër qindra mijëra dyqanxhinj që ofrojnë shërbime me produktivitet të ulët, të cilët për sigurimin e jetesës shkelin ligjin duke zënë me tavolina e tenda, hapësirat publike.
Po me ligje preferenciale dhe mbi favoret ekonomike të marra nga pushteti, lulëzuan mediat e lira, të cilat të zëna ngushtë në grackën ekonomike të pushtetit bëhen pa turp pro regjimit.
Pra me ligj ngushtohet hapësirat e lirisë së fjalës dhe të lirisë ekonomike në atë mënyrë që grupet pro-qeveritare ose ato me synime të lidhura me qeverinë, janë të vetmet që mund të lulëzojnë.

Me ligj taksohet më shumë shtresa e mesme dhe po në emër të ligjit lirohen trotuaret nga tavolinat e bizneseve të vogla dhe po me ligj, na mbahet fryma nga betoni.
E pra me ligj është vendosur të ketë pak ose aspak liri për njerëzit, të cilët detyrohen të braktisin vendin.

E fatkeqësisht as BE-ja, e cila na serviret si testi i fundit i sundimit të ligjit dhe demokracisë, nuk është imune nga pandemia e sundimit me anë të ligjit.
Pikërisht mu brenda BE-së ndodhen përkatësisht Polonia edhe Hungaria, të cilat listohen ndër diktaturat më të heshtura në botë.

Pa një sy të kujdesshëm, sundimi me anë të ligjit duket si demokraci, por është pikërisht loja me ligjin e cila konsolidon në mënyrë të plotë regjimin dhe pasi regjimi konsolidohet, atëherë është shumë e vështirë për t’u thyer, aq më pak me zgjedhje.

Diktaturë liberale apo e heshtur, pak rëndësi ka emri! Pyetja që shtrohet është: A është përshembull edhe Kodi i ri Penal një rast tjetër, se si ligji kufizon lirinë e fjalës, lirinë e zotërimin të pronës, në mënyrë që regjimi të konsolidojë sundimin tij?!

Nëse përgjigja për shumë nga ne është “PO”, fatkeqësisht as BE e as opozita nuk janë siguresa të mjaftueshme për mosistalimin përfundimtar të regjimit.

Në këto kushte a do ta quajmë Diktaturë liberale apo e heshtur, pak rëndësi ka!
Nëse me ligj ne privohemi nga liria dhe nuk kujdesemi qe kjo të mos ndodhë, thjesht nuk e meritojmë lirinë!