Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Ai vlerësoi profesionalizmin e gjykatës dhe rolin e saj në avancimin e praktikave juridike, por shprehu shqetësim për mungesën e sqarimit rreth pasojave në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të caktuar.
“Ende nuk e kemi aktgjykimin në tërësi që ta lexojmë. Njoftimi që ka lëshuar tregon profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese dhe njerëzve që janë aty,” tha Limaj.
Sipas tij, ky vendim është një pasurim i mëtejshëm për sistemin juridik dhe institucional të Kosovës, veçanërisht për çështjet që lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe procesin e zgjedhjes së kryetarit të tij.
“Gjykata me këtë aktgjykim, për neve që merremi me politikë dhe drejtësi, e pasuron praktikën tonë juridike dhe institucionale, dhe tregon se çka do të thotë pa afat”, tha Limaj.
Limaj theksoi se Gjykata nuk ka të drejtë të vendosë sanksione, por e kritikoi mënyrën se si është zhvilluar procesi në Kuvend, veçanërisht devijimin nga rendi i ditës dhe rregullorja nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari
“Kryesuesi ka bërë devijim nga rendi i ditës, ka devijuar rregulloren e Kuvendit. Nuk mund të ketë sanksionim, Gjykata Kushtetuese nuk jep sanksione”, u shpreh Limaj.
Ai tha se vendimi i fundit është një lloj vazhdimi i aktgjykimit të vitit 2014, por kësaj radhe me më shumë qartësi për sa i përket afateve, edhe pse pa ndonjë përcaktim të qartë për pasojat.
“Është një shtesë e aktgjykimit të 2014-ës, sepse atëherë nuk ka përmendur afate. Unë këtë aktgjykim e shoh edhe pas katër viteve, që të mos kemi telashe të njëjta”, theksoi kryetari i Nismës.
Duke iu referuar rastit aktual ku Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, Limaj theksoi dallimin mes të drejtës për të propozuar dhe aftësisë për të zgjedhur.
“Ne kemi keqkuptuar këtu… propozimi dhe e drejta janë dy gjëra të ndryshme. Partia e parë ka të drejtë për të propozuar, por për të zgjedhur duhet t’i kesh votat”, tha Limaj.
Ai shtoi se Vetëvendosje ka të drejtë të propozojë cilindo nga deputetët e saj për postin e kryekuvendarit, por duhet të ndërtojë konsensus për të siguruar shumicën.
“Partia e parë propozon tri herë një kandidat, nuk kalon – e ndërron kandidatin. LVV ka të drejtë t’i propozojë të gjithë deputetët e saj për kryekuvendar”, theksoi Limaj.
Limaj e u shpreh se kishte pritur që aktgjykimi të përfshinte edhe pasojat juridike nëse nuk respektohet afati 30-ditor.
“Unë kam pritur që aktgjykimi ta ketë edhe një shtesë, pasojën juridike. Gjykata nuk ka treguar se çka ndodh pas 30 ditësh”, tha Limaj.