Nga Denis Dyrnjaja
Pashë që Presidenti i Republikës kishte shkuar të shihte nga afër situatën e banorëve në rrezik nga zjarret dhe trupave të ushtrisë që u përballën me flakët. Kishte komunikuar me ta për nevojat që kishin, por ata ishin merakosur për gjithë atë mundim që kishte bërë z Begaj që kishte lënë zyrën e freskët me kondicioner e kishte hip në helikopter. Për fat të keq e gjithë kjo sa thashë më lart është një tablo e pavërtetë është si të thuash si ëndërr. Ky president që kemi sot nuk zhgënjen. Është zgjedhje, më saktë emërim perfekt për të qenë një hiç.
Nuk di çfarë duhet të ndodhë tjetër që presidenti të reagojë, qoftë në pozitën e kryetarit të shtetit, qoftë në funksionin e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ushtrisë. Në faqen zyrtare të presidencës ka një mesazh formal dhe shumë artificial.
Ndoshta pret që të bjerë zjarr në Bulevardin Dëshmorët e Kombit para zyrës së tij, se nuk ka si shpjegohet kjo sjellje apo indiferencë institucionale. Zjarret po zhurisin Shqipërinë nga jugu në veri, presidenti bën sehir në selinë e tij. Mbase nuk ka faj, se pret t’i thotë Kryeministri dil e fol diçka ose dil e shko atje apo këtu, mos rri në zyrë si hu.
Një mik që është mjek dhe e çmoj shumë për gjithçka ai është në profesion dhe si njeri më pat thënë dikur kur kolegu i tij Bajram Begaj u emërua president republike, po çke me të se është njeri i mirë. E kisha kritikuar disa herë presidentin që u zhduk pa u dukur asnjëherë në rolin që ka fiks sikur është një kukull jo burrë shteti.
U përpoqa t’i arsyetoj mikut tim, se na duhet një president, jo dikush që i ngel mandati i emërimit në dorë. Se vë në dyshim që z Begaj është njeri i mirë, por njerëzit e mirë mund të shërbejnë ose në spitale ose në vakëfe. Këto fjalë po i them përsëri publikisht, pasi sigurova mikun tim fort të respektuar se nuk kam asgjë personale me z Begaj, por me z Begaj si President kam shumë për të thënë, më kryesorja dhe që ndoshta thotë gjithçka është se praktikisht Shqipëria është një vend me president, por pa kryetar shteti.
President hiq kravatën, vish një bluzë me mëngë të shkurtra e shko tako njerëzit e trupat e ushtrisë se i ke rrugëve pa kushte. Të paktën begenisi si drejtues i tyre meqë në profesion je dhe mjek. Mundohu të tregosh humanizëm, jo hedonizëm z President!