Ballina Opinion Për Blushin dhe të tjerë: Nuk është çështje terrorizmi, është provë e...

Për Blushin dhe të tjerë: Nuk është çështje terrorizmi, është provë e humanizmit dhe empatisë njerëzore

31
0

Nga Namir Lapardhaja

Ndërkohë që shkrimtarë dhe intelektualë në mbarë botën po e quajnë atë çka po ndodh në Gaza një gjenocid të pastër, fatkeqësisht në Shqipëri shfaqen herë pas here ‘personalitete’ më ‘katolik se Papa’, duke dashur të provokojnë debate të panevojshme publike ose duke synuar që nëpërmjet shkrimeve të tyre të tërheqin vëmendjen e lexuesve, edhe pse, po të shohësh, në të gjitha rastet, ‘masakrohen’ prej tyre.

Në shkrimin e tij të fundit, Ben Blushi shfaq një tezë që përpiqet të krahasojë Palestinën me shembuj si Kosova apo Maqedonia, duke sugjeruar se “rruga e gabuar” e ndjekur nga Hamasi  dhe mosmarrja e modelit të “ndërtimit shtetëror”, janë arsyet kryesore të dështimit të Palestinës si shtet.

Pavarësisht të gjithave, diskutimi i sotëm nuk është ku ka gabuar Palestina apo çfarë nuk ka shkuar si duhet, sepse kemi të bëjmë me realitete të ndryshme, të cilat janë krijuar si pasojë e një historie që nuk filloi as sot as dje. Aq më shumë nuk ka qenë farë në pyetje populli i atij vendi në lidhje me vendimet që janë marrë për ta.

Sot jemi në një realitet tjerët, ku të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar nga ‘Amnesty International’, ‘Human Rights Watch’ e duke vijuar te Organizata e Kombeve të Bashkuara raportojnë për krime ndaj civilëve, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar, spitale e shkolla të shkatërruara dhe një bllokadë totale shkatërruese e ngritur mbi urinë.

Kjo që po ndodh në Gaza nuk është luftë mes dy ushtrish, por shkatërrim sistematik i një popullsie të pambrojtur, e cila është e pafuqishme në marrjen e vendimeve politike për të ndryshuar realitetin e saj.

Hamasi sot më shumë se sa një realitet, shërben si një alibi. Ai është jo vetëm inekzistent, qoftë politikisht, qoftë ushtarakisht, por koha e ka treguar se ai më shumë se sa popullatës së Gazës, i është dashur Izraelit për të justifikuar planet e tyre shfarosëse ndaj popullatës civile.

Ndërkohë që nga Shqipëria jepen mend dhe diskutohet për realitete inekzistente, Amos Goldberg, historian i Holokaustit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, shprehet se “ajo që po ndodh në Gaza është një gjenocid, sepse Gaza nuk ekziston më.” Ai argumenton se niveli i vrasjeve, shkatërrimi i spitalëve dhe universiteteve, uria e qëllimshme dhe shkatërrimi i elitës intelektuale përbëjnë një peizazh gjenocidial në përputhje me Konventën e OKB-së mbi Gjenocidin. Ndërsa David Grossman, shkrimtar i njohur izraelit, e përshkruan tragjedinë që po ndodh si “katastrofë morale dhe humane me përmasa që na çojnë pranë kufijve të gjenocidit”.

Në këtë kuptim, ajo që po ndodh në Gaza, nuk mund të jetë një debat ideologjik, por alarm për humanizëm që ka vdekur dhe mungesën e empatisë njerëzore.

Të krahasosh këtë situatë me Kosovën apo Maqedoninë është jo vetëm e pavend, por edhe e padrejtë historikisht dhe moralisht. Kosova, përkundër vështirësive të jashtëzakonshme, s’ishte kurrë e izoluar totalisht; nuk u shndërrua në një kamp të madh nga i cili nuk mund të komunikojë me botën, ndërkohë që Gaza është sot, në mënyrë të ndërgjegjshme, në një burg të hapur, ku civilët as mund të ikin as nuk u lejohet të rrinë, sepse ata kanë ‘të drejtë’ vetëm për të vdekur.

Një shkrimtar mund të provokojë e të hapë debate, por ai nuk mund të justifikojë kurrë vrasjen e të pafajshmëve. Kur fjala relativizon vuajtjen dhe e shndërron dramën njerëzore në alibi, ajo humbet fuqinë krijuese dhe ndërtuese.

Si thotë Elie Wiesel, fitues i Nobelit dhe mbijetuar i Holokaustit: “Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, kurrë të munduarin.”

Ajo që po ndodh sot në Gaza nuk është debat në ka faj apo nuk ka faj Hamasi, nuk është as debat kulturor apo shtetformues, se çfarë ka shkuar keq apo çfarë mund të bëhej më mirë.  Sepse Gaza sot është shndërruar në një alarm global të humbjes së ndjeshmërisë njerëzore. Ajo është një provë e dështimit të natyrës njerëzore, e cila, pavarësisht krimeve dhe luftërave të mëparshme botërore, po sheh përpara syve të saj se si po dështon njerëzillëku në një rrip të ngushtë toke, ku qenia humane po trajtohet në formën e saj më poshtëruse dhe më të pamerituar.

Kur krimet të kenë ndalur dhe kur njerëzit të kenë mundësi të ushqehen dhe të jetojnë pa zhurmën e bombave mbi krye, atëherë mund të diskutohet se cila do të jetë e ardhmja e këtij vendi, por në kushtet e sotme e vetmja gjë që duhet të flitet është ndalimi i sjelljes gjenocidiale nga politika ekstremiste izraelite.