Përse Shqipëria nuk disponon avionë zjarrfikës? Kësaj pyetje të bërë së fundmi nga shumë persona nisur edhe nga zjarret që po përvëlojnë Shqipërinë ditët e fundit, i ka dhënë përgjigje Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë thotë se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë të zjarreve nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e avionëve zjarrfikës.
E këtu Rama sjell shembullin e Greqisë që posedon 77 avionë zjarrfikës, por zjarret e fuqishme të ditëve të fundit e kanë gjunjëzuar edhe shtetin fqinj.
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë.
Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.