Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e tij të ri mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ka vlerësuar se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias. Po ashtu, është konstatuar se në Shqipërinë “Qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhje të drejtpërdrejta me pronarët e medias dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit”.
Në Shqipëri, ndikim i politikës dhe bizneseve mbi gazetarët
Pjesa për Shqipërinë thekson se organizatat e pavarura mediatike dhe gazetarët profesionistë kanë pohuar se Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente.
Raporti shton se “mungesa e kontratave të zbatueshme të punës ka ulur pavarësinë e gazetarëve dhe ka kontribuar në njëanshmërinë e raportimit”.
Gjithashtu thuhet se “interesat politike dhe të biznesit kanë ushtruar presion mbi gazetarët. Disa gazetarë kanë raportuar se kanë marrë mesazhe kërcënuese ose janë bërë objekt i fushatave publike të njollosjes pas raportimeve mbi korrupsionin apo keqpërdorimet e supozuara të Qeverisë”.
“Në muajin mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denoncuar publikisht kryeministrin për përdorimin e një gjuhe frikësuese ndaj një gazetari që po hetonte investimet në turizëm në vend”.
Raporti vë në dukje se “gazetarët shpesh kanë ushtruar vetëcensurë për të shmangur dhunën, ngacmimin apo për të ruajtur vendin e punës. Thuhet se Qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhjet e drejtpërdrejta me pronarët e mediave dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit”.,- thuhet në raport.