Sharon Stone ka bërë një dalje të rrallë publike me tre djemtë e saj të adoptuar, në premierën e filmit të saj më të ri “Nobody 2” në Los Angeles. Aktorja e famshme parakaloi në tapetin e kuq të Teatrit Kinez TCL të hënën mbrëma, e shoqëruar nga Roan (25 vjeç), Laird (20 vjeç) dhe Quinn (19 vjeç).
Në komedinë aksion të prodhuar nga Universal Pictures, Stone luan rolin e Lentinës, ndërsa filmi do të shfaqet në kinematë botërore më 15 gusht. Në kastin e aktorëve bëjnë pjesë gjithashtu Christopher Lloyd, Bob Odenkirk, Connie Nielsen dhe Colin Hanks, me regji nga Timo Zachianto. Historia ndjek Hutch Mansell, një ish-vrasës me pagesë, i cili rikthehet në jetën e tij të dhunshme pas një tentative grabitjeje, duke nxitur një zinxhir ngjarjesh të rrezikshme.
Stone, e cila ka folur hapur për jetën e saj personale, ka treguar në vitin 2022 se ka kaluar nëntë aborte spontane, duke kritikuar mungesën e kujdesit shëndetësor për gratë. “Nuk është gjë e vogël, as fizikisht e as emocionalisht, e megjithatë jemi krijuar ta përballojmë fshehurazi, me një ndjenjë dështimi,” kishte shkruar ajo në një postim të atëhershëm, duke ia atribuar këtë “ideologjisë mashkullore”.
Aktorja adoptoi Roan Joseph Bronstein në vitin 2000, gjatë martesës me gazetarin Phil Bronstein. Pas divorcit, ajo zgjodhi të adoptonte edhe dy djem të tjerë: Laird Von Stone në 2005 dhe Quinn Kelly në 2006. Stone ka theksuar vazhdimisht se është mirënjohëse për vendimin e saj për t’i dhënë përparësi amësisë mbi karrierën në Hollywood.