Ballina Kronika I arrestuar për vrasjen e postierit, Eduart Lami del i pafajshëm për...

I arrestuar për vrasjen e postierit, Eduart Lami del i pafajshëm për mungesë provash

39
0

Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin për të liruar nga qelia Eduart Lamin, i cili u arrestua disa muaj më parë si autor i dyshuar për vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha. Vendimi u mor pas konstatimit se nga hetimet nuk janë siguruar prova që të lidhin drejtpërdrejt Lamin me ekzekutimin e postierit.

Sipas burimeve gjyqësore, ndaj Lamit ka mbetur vetëm akuza për armëmbajtje pa leje. Ai u shpall fajtor për këtë vepër penale dhe u dënua me 10 muaj burgim me gjykim të shkurtuar. Meqenëse periudha e paraburgimit e kishte kaluar tashmë këtë afat, gjykata vendosi lirimin e tij të menjëhershëm. Gazetarja Anila Hoxha bëri të ditur se ky vendim erdhi pas verifikimit të kohës së qëndrimit të Lamit në qeli, e cila ishte e barabartë me dënimin e dhënë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 janar 2025, kur Lulzim Visha u gjet i vrarë brenda automjetit të tij në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner. Viktima, i punësuar si postier në një postë private në Tiranë, dyshohet se ishte në nisje për në punë kur u qëllua për vdekje me armë zjarri. Hetuesit dyshojnë se autori përdori silenciator, pasi banorët e zonës thanë se nuk kishin dëgjuar të shtëna.

Nga këqyrja e vendngjarjes u gjetën 12 gëzhoja pistolete. Vetëm një ditë pas ngjarjes, policia arrestoi Eduart Lamin dhe shpalli në kërkim kushëririn e tij, 31-vjeçarin Ervis Lami. Në banesën që ata përdornin në rrugën “Paqësore” në Zall Mner të Kamzës, u sekuestruan një armë automatike me silenciator, municion luftarak, 15 fishekë, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete “Glock” dhe katër gëzhoja të tjera të armës në oborr.

Megjithëse këto prova e implikonin Lamin në akuzën e armëmbajtjes pa leje, hetimet nuk arritën të krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes tij dhe vrasjes së Vishës. Për momentin, policia vijon kërkimin për Ervis Lamin dhe po heton pista të tjera që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të këtij ekzekutimi misterioz.