Ulja e normës së interesit ne 2.5 për qind nga Banka e Shqipërisë ka bërë që dhe kreditë të jenë në rritje. Në raportin tre mujor raportohet se huatë e marra nga banka janë rritur me 17.9% për blerje të apartamenteve edhe pse cmimet për m2 të banesave janë në rritje.
Efekt në këtë rast kanë normat e ulëta historike të interesit dhe aplikimet e shtuara para hyrjes në fuqi të masave shtrënguese makroprudenciale. Paralelisht, kreditë konsumatore arritën një rritje rekord prej 19.3%, e ndikuar nga përmirësimi i kushteve të ofertës.
Në segmentin e individëve, normat e interesit për kreditë hipotekare kanë mbetur të qëndrueshme në 3.8%, afër mesatares së regjistruar që nga qershori 2024 pas lehtësimit të politikës monetare.
Ndërkohë, normat e interesit për kreditë konsumatore, të cilat zakonisht kanë luhatshmëri më të lartë, janë rritur nga 8.2% në tremujorin e parë, në 8.9% në tremujorin e dytë.
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit, e mbështetur nga të gjithë komponentët e kërkesës – konsumi privat dhe publik, investimet dhe eksportet e mallrave e shërbimeve.
Megjithatë, ky ritëm paraqet një ngadalësim krahasuar me tremujorët paraardhës, për shkak të moderimit të zgjerimit të kërkesës së brendshme. Në të kundërt, kërkesa e huaj ka shënuar rritje më dinamike, duke kontribuar pozitivisht në aktivitetin ekonomik.