Nga Don Lush Gjergji
Nëna Tereze është e madhe dhe e njohur në mbarë botën në rend të parë prej Zotit, pastaj jetës dhe veprave të saja, dhe së fundi përkrahjes së madhe të Papëve, sidomos Shën Palit VI.
Papa Pali VI ka përcjell me vëmendje, kujdes dhe dashuri atërore jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ja vetëm disa dëshmi dhe hapa konkret në këtë kuptim dhe drejtim. Deri sa shumë njerëz të Kishës, si dhe jashtë saj, nuk mund ta kuptonin karizmën e veçantë të Nënës Tereze, dashurinë flijuese dhe dhuruese për Zotin dhe Njeriun, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, Papa Pali VI pati mirëkuptim dhe përkrahje të plotë për Nënën Tereze, nëpërmjet saj, si thoshte ai “për veprën e Zotit”.
Do të mbes në histori vizita e tij baritore Indisë (1964), me rastin e Kongresit Eukaristik. Gjatë ditëve 3-6 dhjetor 1964 ishte Kongresi Eukaristik në Bombay, me pjesëmarrjen e Papës si dhe të Nënës Tereze.
Papa Shën Pali VI në homelinë e tij ceku disa pika të rëndësishme të lidhjes mes Eukaristisë së jetës së krishterë: sepse Ajo është “qendër e fesë së krishterë, zemra që rrahë e Kishës, vendi ku Jezu Krishti na bënë edhe ne pjesëmarrës në flijimin e Tij për mbarë njerëzimin…”
Pika e dytë e homelisë së Papës ishte: “Eukaristia, fuqia misionare, sepse pas ushqimit me Korpin dhe Gjakun e Tij, edhe ne jemi të ftuar “ta jetësojmë, dëshmojmë dhe bartim Atë nëpërmjet të Vërtetës dhe Dashurisë.!
Pika e tretë ishte kjo: Eukaristia si ftesë bashkimi me Zotin dhe me të afërmin, “bashkësi kjo që e rrezaton dhe ndriçon dashurinë e Zotit për ne,”
Pika e katërt dhe e fundit ishte Eukaristia si burim shprese dhe paqeje, në një botë plot me sfida, shpesh pa Zotin dhe të afërmin.
Përshtypja e Papës për jetën dhe veprën e saj ishte aq e madhe, troditëse, sa që vendosi t’ia dhuronte automjetin personal “Cadillac” me të cilin kishte lëvizur dhe udhëtuar në Indi me këtë motivim: “për t’i ndihmuar asaj në dobi dhe në të mirë të të varfërve”.
Nëna Tereze e qiti këtë automjet në Lotari të Indisë dhe fitoi mjaft para, kuptohet, si gjithmonë, për të varfëritë ndër më të varfër, sepse ishte dhuratë e Papës Pali VI dhe Nënës Tereze e cila tashmë kishte emër dhe famë botërore. Ky gjest e bëri Nënën Tereze shumë të njohur në Kishë dhe në botë.
Tregohet edhe kjo ngjarje. Në listën e pjesëmarrëse dhe folësve për Kongresin Eukaristik ishte edhe emri i Nënës Tereze.
Ajo ishte nisur, së bashku me bijat e saja shpirtërore, “Misionaret e Dashurisë”, por rrugës e kishte parë dhe gjetur një njeri në buzë të vdekjes.
Ishte ndalur si “Samaritani i Mirë”, për ta mjekuar dhe ndihmuar atë njeri, nëpërmjet atij, vetë Jezu Krishtin, së bashku me disa motra tjera.
Motrave të cilat e përcillnin iu kishte thënë: “Shkoni ju dhe adhurojeni Krishtin ne Bukën e Shuguruar, në Kungim, ndërsa unë dhe motrat me mua, do ta adhurojmë dhe shërbejmë në trajtën e njeriut në buzë të vdekjes…”
Pas Kongresit Eukaristik, Papa Pali VI butësisht e kishte qortuar kështu: “Nëna Tereze, Ju ishit në listën e folësve të Kongresit Eukaristik, por nuk erdhët…”
Nëna Tereze, pa hamendje, kishte thënë: “Po, Shenjtëri, unë u nisa së bashku me motrat tona për ta nderuar, adhuruar dhe për t’ju lutur Krishtin në Eukaristi, por e takova dhe e gjeta në trajtën e njeriut në buzë të vdekjes. Prandaj u ndala, e mjekova dhe ndihmova vetë Krishtin e vuajtur në të…”
Papa Pali VI e kishte dëgjuar me shumë vëmendje, dhe pas pak mendimi dhe meditimi, i tha Nënës tonë Tereze kështu: “Ne ndoshta në krye me mua, kemi bere ndonjë “paradë”, ndërsa Ti e paske adhuruar vërtet Krishtin në trajtën e Njeriun buzë vdekjes,,,”
Përshtypja, përjetimi, dëshmia e Nënës Tereze, në botën e mjerimit në Indi, e kishin tronditur në shpirt dhe në zemër Papën Pali VI.
Pas kthimit në Romë, i kishte thënë Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Jean Marie Villot (1905 – 1975) kështu: “Ne duhet të bëjmë diçka për Nënën Tereze,,,”
Kardinali ishte përgjigjur: “Do të lutemi për Nënën Tereze dhe veprat e saja…”
“Mirë shumë, por nuk mjafton… Duhet konkretisht të bëjmë diçka për ta dëshmuar nderimin, falënderimin dhe përkrahjen tonë asaj, Kishës katolike në Indi…”
Papa Pali VI, i kishte dërguar një çek personal “për të varfëritë e Nënës Tereze”, duke përkujtuar dhe ndihmuar gjithnjë veprën e saj në dobi të mjerëve në Indi dhe në botë.
Sot “Misionaret e Dashurisë” janë afro 6000 në 762 kuvende apo bashkësia në mbarë botën, në Afrikë, Azi, Oqeani, Amerikë dhe Evropë, me selinë apo Shtëpinë Amë në Kalkutë (Indi).
Më 10 shkurt të vitit 1965 me dekretin papnor “Decretum laudis” Papa Pali VI e kishte pranuar dhe lartësuar bashkësinë e “Misionareve të Dashurisë” si “kongregatë të drejtës papnore”.
Sivjet kremtojmë 60 – vjetorin e këtij dekreti papnor, që iu dha atyre më shumë besueshmëri dhe autonomi brenda Kishës katolike në Indi dhe në botë. Ky dekret është një akt zyrtar që garanton edhe njohjen formale, si dhe lejen ndaj kësaj Kongregate nga ana e Selisë së Shenjtë.
Kjo domethënë që Kongregata ka treguar dhe ka dëshmuar se është në përputhje të plotë me doktrinën e Kishës Katolike sipas mësimit dhe besimit të Popullit. të Zotit.
Kjo ua mundësoi atyre që së shpejti të mund të përhapeshin dhe vepronin në mbarë botën. Fill pas kësaj mirënjohjeje dhe pranimi “Misionaret e Dashurisë” filluan zgjerimin në botë: në Venecuelë (26 korrir 1965), shtëpia e parë jashtë Indisë e kështu me radhë në Evropë, Afrikë, Amerikë, kudo në botë.
Papa Shën Gjon Pali II për 50 vjetorin e themelimit të Misionareve të Dashurisë, ndër të tjera shkruan kështu: “Me 7 tetor 1950, në KaLKUTË, NË Kapelën e vogël pranë Creek Lane nr. 14, arqipeshkvi Perier caktoi që themeluesja dhe 11 shoqet e saja të para do të themelonin një Kongregatë Rregulltare të së drejtës ipeshkvore…
Mu 15 vite më vonë, më 1 shkurt 1965, Papa Pali VI e dha Decretum laudis që përcaktonte që Motrat Misionaret e Dashurisë si Kongregatë me të Drejtë papnore…
Qysh në fillim Nëna Tereze dhe Misionaret e Dashursë dëshironin “ta shuanin etjen e paskajshme të Jezu Krishtit për dashuri ndaj shpirtrave… duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve ndër më të varfër (Letra e Themelueses)…
Duke e përkujtuar me dashuri Nënën Tereze, ia besoj Zemrës së Krishtit të gjitha degët e Misionareve të Dashurisë Zemrës së Papërlyer të Marisë…”
Nga Vatikani, 2 tetor 2000 Papa Gjon Pali II
Papa Pali VI përkrahu edhe themelimin e Shoqatës ndërfetare dhe ndërkombëtare “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” më 29 mars 1969, duke dhënë bekimin dhe pëlqimin e tij.
Në Audiencën e Shën Papës Pali VI kushtuar Nënës Tereze, sidomos “Bashkëpunëtorëve të Nënës Tereze”, rreth domethënies së saj për Kishën dhe për botën, sidomos përkushtimi dhe shërbimi – dashuria për “të varfër ndër më të varfër”, Papa Shën Pali VI ndër të tjera pati thënë:
“Bijë dhe bija të dashura, mirë se keni ardhur në Shtëpinë e Papës! Jemi të informuar që këto ditë jeni mbledhur në Romë për takimin tuaj kombëtar. Ne jemi të gëzuar për numrin tuaj këtu të pranishëm, për përshpirtërinë tuaj të jashtëzakonshme me angazhimin që keni marrë për njerëzit vëllezër apo motra në nevojë. Këta janë shenja që porosia e dashurisë, që e ka shpallur Jezu Krishti, vazhdon të depërtimin dhe fryt dhënien me shpirtra të hapur dhe të gatshëm, edhe pse ndonjë herë në mes të manifestimeve të dhunshme dhe jo normale, dhunë fizike dhe psikike, si dhe propaganda e madhe e ideologjive që nxisin urrejtje , mënjanim ndaj të tjerëve, si dhe tundimeve të shpeshta të individualizmit, që d.m.th.. se jeni të tunduar të thoni: çfarë lidhje kam unë me këtë? Unë jam në pjesën time dhe nuk më interesojnë të tjerët..
Është tundim, po e përsërisë, aq i shpeshtë dhe i përhapur në shoqërinë tonë, individualizmi në të cilin bien ndonjë herë edhe vijuesit e Krishtit…
Dua ta shfaqi këtu emocionin tim të madh, është kënaqësia ime e madhe që t’ju pranoj këtu, që t’ju shohë së bashku të gjithë të frymëzuar nga kjo ndjenjë për ta tejkaluar egoizmin për të qenë vëllezër, shokë, për të qenë të aftë që t’i kuptoni ata që vuajnë, për t’i ngushëlluar.
Për mua është një ngushëllim tejet i madh. Dhe falënderoj para së gjithave të dashurën Nënën Tereze (buzëqeshja e drejtuar kah ajo), si dhe ata që e përcjellin, ndihmojnë, kuptojnë, marrin pjesë në mendime dhe ideale të saja. Për mua është çast lumturie. Më duket një moment i jetës ungjillore që e bashkë ndajmë. Dhe unë jam i par që e mbledh frytin e këtij takimi, që të jam edhe unë nxënës i atij Krishti i cili dëshiron që të gjithë të jemi të bashkuar në shkollën e tij. Që të jemi të aftë, edhe pse nuk jam i denjë, që të jam mësuesi i juaj, për t’iu thënë: Vazhdoni, vazhdoni të jeni besnikë, sepse e keni zgjedhur pjesën më të mirë (Khs. Lk 10, 42).
Në cilësinë e “Bashkëpunëtorëve të Nënës Tereze” të Kalkutës, ju dëshmoni që keni medituar dhe zbatuar fjalët e ndritura të Krishtit, sipas ungjillit të Mateut: ju kujtohet, në gjyqin përfundimtar Krishti gjykatës, Kreu i njerëzimit që vjen për të gjykuar dhe ndarë të gjallët dhe të vdekurit…
Shën Gjoni thotë: Kush e do vëllain jeton në dritë.” (1 Gjn 2, 10)
Vazhdoni, bijë dhe bija të dashura, me qëndrueshmëri bujare dhe me angazhim sa më të madh që të punoni për përhapjen dhe rrezatimin e bamirësisë së vërtetë dhe pa interes, të vetëdijshëm që sjellja dhe përvoja e juaj konkrete dhe e ndjeshme e dashurisë suaj për Hyjin (khs. Ibid, 4, 11 – 12. 19 – 21), për të shëmtuar dhe të përvuajtura të varfërve, ju nëpërmjet fesë, mund ta zbuloni fytyrën e Krishtit.
Na pëlqen t’i përkujtojmë fjalët e Shën Avgustinit, i cili duke e komentuar letrën e parë të Shën Gjonit, shkruan: “Nëse e do vëllain, a e do ndoshta vëllain e jo Krishtin? Si është e mundshme, nëse ti i do gjymtyrët e Krishtit? Nëse, pra, ti i do gjymtyrët e Krishtit, ti e do Krishtin; dhe nëse e do Krishtin, e do Birin e Hyjit; e nëse e do Birin e Hyjit, e do Zotin Hyj të qiellit dhe të tokës. Nuk mund, pra, ta ndash, nëse e do Kryet, ti i do edhe gjymtyrët.” (S. Agustini, In episolam Joannis tractatus, X, 3: PL 35, 2055 – 2056).
Ne urojmë që të gjithë bijtë tanë të din ta dëgjojnë dhembjen dhe klithjet e atyre që vuajnë, të atyre që janë të uritur, sepse të gjithë, në paqe, në bashkëpunim dhe në solidaritet, mund të jetojmë dhe ta realizojmë dinjitetin njerëzor dhe atë të bijve të Hyjit”.
Me Bekimin tonë Apostolik Papa Pali VI
(E shtune, 6 maj 1978)
Më 22 gusht 1968 Nëna, Tereze hapi shtëpinë e parë të “Misionareve të Dashurisë”, në Romë në lagjen “Torfiscale”, gjithnjë me ftesë dhe bekim të Papës Pali VI.
Më 6 janar 1971, Papa Pali VI ia dorëzoi Nënës Tereze “Shpërblimin për Paqe – Gjoni XXIII”, që dëshmonte edhe njëherë nderimin, përkrahjen, dashurinë e tij për Nënën Tereze, për “Misionaret e Dashurisë”, për të varfëritë e botës.
Me atë rast Shën Papa Pali VI ndër të tjera tha:
“Ky Shpërblim ndërkombëtar i Paqes, me emërtim të Paraardhësit Tonë Gjoni XXXIII, Nënës Tereze, këtu e pranishme, ndoshta na duket që çdo gjë tashmë është thënë…
Ne të gjithë e hetojmë se ende çdo gjë ka mbetur për t’u thënë… qëllimi i këtij Shpërblimi është Paqja, kësaj murgeshe së thjeshtë, vepra e saj, në veçanti në aspektin historik, shoqëror, njerëzor, në të cilën caktohet veprimi…, mbetet shumëçka për të komentuar, për të menduar dhe për të kuptuar,,,
E mira ekziston, e mira është vepruese, e mira mbizotëron: çfarë ballafaqimi, çfarë mësimi, çfarë shprese…
Është e vërtetë: e mira duhet të bëhet në përvuajturi, në heshtje, pa asnjë synim zbrazëtie dhe reklame, s’duhet të presë shpërblimin prej njerëzve dhe në kohë; këtë na ka mësuar Zotëria, që drita nuk vendoset nën magje, por mbi pishtar, që t’i ndriçojë gjithë të pranishmit në shtëpi (kjo sigurisht i pëlqen të thjeshtës Nënës Tereze…), ndërsa synimi tjetër është lavdia e Atit qiellor (Khs. Mt 5, 15 – 16), prej të Cilit vjen çdo e mirë,,,,
E mira shpërndahet. Ashtu është edhe e keqja, fatkeqësisht, sa është e fortë fuqia ngjitëse dhe sa përgjegjësi kemi!…
Është e mrekullueshme: një element i ri erdhi në shprehje; motivi mbinatyror që e bënë të guximshme dhe të shpejtë veprimin e tillë; motivi mistik, motivi ungjillor, që e shndërron fytyrën e të uriturit, të fëmijës në lëngim, të njeriut në buzë të vdekjes, të gërbulurit që qelbët, të kriminelit të rrezikshëm, në fytyrën misterioze të Krishtit; është një lloj tërheqje shpirtërore e cila i afron Motrat, Vëllezërit, që e kanë kushtin e dashurisë; pasi dashuria tashmë është bërë motivi i lartë, që i tërheq të tjerët…
Një herë më tepër në historinë e Kishës si dhe në përparimin e shoqërisë, Ungjilli zbatohet dhe kremtohet, dhe e ndez në zemrat e njerëzve gëzimin e të mirës, shpresën e jetës ideale, të vërtetën e ndritshme të fjalës së Shën Irineut: “Lavdia e Hyjit është njeriu që jeton” (Adv. Haer. IV, 20, 7; PG 7, 1037)…
Personi që ne sot e nderojmë me këtë shpërblim, është saktësisht dëshmia e kësaj vlere të lartë; njeriun në përngjasim me Hyjin, gjymtyrë e Krishtit, pasqyrë në të cilën e zbulon vetveten, e zbulon vëllain. E thjeshta Nëna Tereze, në figurën e së cilës ne zbulojmë me mijëra e mijëra njerëz të kushtuar – full time – në shërbim personal të tyre që janë më shumë në nevojë, bëhet shembull dhe simbol i kësaj zbulese, në të cilin është fshehtësia e paqes në botë…
Vëllazëria dhe paqja janë sinonim ontologjik. Njëra dhe tjetra kanë një rrënjë të përbashkët, për ne shumë të qartë, në dashuri; dhe që ne na paraqitet si Misionarja e Dashurisë; apostullesha e vëllazërisë dhe lajmëtarja e paqes.
Ja përse asaj ia japim shpërblimin e paqes; si dhe atyre që e bashke ndajnë ndjenjat e dhe veprimet e saja…”
mërkurë, 6 janar 1971) Papa Pali VI
Këto janë disa nga çastet dhe rastet e rëndësishme të bashkëpunimit mes Papës Shën Pali VI dhe Shën Nënës Tereze, që përpos fryteve të shenjtërisë së ndërsjellët kanë dhënë edhe kontribut dhe madh dhe tejet të çmuar si në Kishë, ashtu edhe në botë.
P.s.! Ky Shpërblim nuk ka vazhduar dhe nuk iu ka ndarë më askujt!
Letnicë, 2025 Don Lush GJERGJI
Sivjet po ashtu është edhe 50 – vjetori i marrjes së “Medaljes së Lirisë”, çmimi më i lartë i SHBA- së, që ia ka dorëzuar Nënës Tereze Presidenti atëhershëm Ronald REAGAN (21 qershor 1975).
Ai kishte një nderim dhe admirim të madh për Nënën Tereze, jetën dhe veprimtarinë e saj. Me atë rast ai e kishte cilësuar Nënën Tereze si “qytetare e botës, duke pranuar që jeta she puna e saj kishte frymëzuar shumë amerikanë për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë.
Nëna Tereze e kishte pranuar “Medaljen e Lirisë”, në emër të varfërve, nga të cilët tha ajo, bota e sotme do të ketë më shumë paqe dhe liri, demokraci, ndërsa të varfrit e ndryshëm dhe njerëzit në nevojë, do t’ia sjellin botës shpirtin e flijimit dhe solidaritetit.
Presidenti Ronald Reagan tha: “Në heshtje dhe në admirim e dëgjova dhe isha para Nënës Tereze shumë i vogël, duke mos dashur të humbi anjë moment për ta dëgjuar, kuptuar dhe pranuar një të vërtetë të madhe: “Ajo është vërtet Nëna e mbarë njerëzimit!”
Po ashtu sivjet është edhe 50 vjetori i pritjes solemne në Selinë e OKB-së në New York. Me atë rast Javier Peres De Cuellar (1920 – 2020), kryetari i OKB-së pati thënë: “Unë e paraqes gruan më të fortë të botës: Nënën Tereze. Ajo vërtet është Kombet e Bashkuara!”