Ballina Ekonomia Për të gjashtin vit radhazi, rritet punësimi në sektorin bankar në Shqipëri

Për të gjashtin vit radhazi, rritet punësimi në sektorin bankar në Shqipëri

32
0

Punësimi në sektorin bankar po rritet për të gjashtin vit radhazi. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në mesin e këtij viti bankat tregtare në vend raportuan 7343 të punësuar, në rritje me 2.6% që nga fillimi i vitit dhe me 4.4% krahasuar me një vit më parë.

Punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes që prej vitit 2020, ndërsa në vitin 2023 numri i të punësuarve në banka e kishte kaluar nivelin e vitit 2016, vit kur pati nisur cikli i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth 600 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Rritja e numrit të të punësuarve është gjithashtu një dëshmi e faktit që digjitalizimi i shërbimeve dhe produkteve bankare nuk ka ulur nevojën për burime njerëzore.

Rritja e digjitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës për procese bazike të lidhura me pagesat në degë, por po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative.

Edhe numri i degëve të sektorit bankar i është kthyer rritjes. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti bankat raportuan 409 degë, nga 405 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit 2024 dhe 391 që kishte qenë një vit më parë.

Nga ana tjetër, pas një cikli 7-vjeçar konsolidimi, numri i aktorëve në tregun bankar po rritet përsëri.

Hyrja e aktorëve të rinj në treg përbën premisë për rritjen e mëtejshme të numrit të të punësuarve dhe të degëve të bankave tregtare në Shqipëri.

Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se totali i aktiveve të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 2.161 trilionë lekë, në rritje vjetore me 8%