Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e sotëm përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me situatën e vështirë të zjarreve që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Ai theksoi angazhimin e strukturave shtetërore në përballimin e situatës, duke falënderuar forcat në terren për përpjekjet dhe sakrificat e bëra. Sipas tij falë këtyre sakrificave situata është përmirësuar. Ndërkohë që nuk kurseu të bënte dhe një kritikë për reagimet mediatike.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve.”, shkroi Rama.
Kujtojmë se ditën e djeshme, në të gjithë territorin e Shqipërisë janë regjistruar 37 vatra aktive zjarri në disa qarqe, përfshirë: Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë.
Në terren janë angazhuar forcat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Forcat e Armatosura, policia e shtetit, si dhe forcat rajonale të emergjencave.
Operacionet për shuarjen e flakëve po mbështeten edhe nga helikopterë çekë dhe sllovakë, të cilët janë vendosur në dispozicion për të përballuar situatat më të vështira dhe për të ndërhyrë në zona të thella e të paarritshme me mjete tokësore.