Ajo që nisi si një moment i çastit pas një jave të lodhshme, është shndërruar në një fenomen që po bën namin në rrjetet sociale dhe po frymëzon grupe të ngjashme në të gjithë SHBA-në.
Çifti nga Çikago, Manny Hernandez dhe Elena Soboleva, në dhjetor të vitit të kaluar vendosën të shkonin pranë liqenit Michigan dhe të bërtisnin me gjithë fuqinë e tyre për të larguar stresin. Atyre iu bashkuan disa të panjohur që ndodheshin aty rastësisht dhe kështu lindi “Scream Club”, ose “Klubi i Bërtitjes”.
Sot, ky ritual zhvillohet çdo të diel dhe mbledh mbi 200 pjesëmarrës. Të gjithë bashkohen për një proces të thjeshtë por të fuqishëm:
Shkruajnë në tabela shqetësimet apo emocionet negative. Marrin frymë thellë së bashku. Bërtasin me gjithë forcën në tre raunde çlirimi emocional.
Organizatorët thonë se nuk ka gjë më çliruese sesa të shprehësh emocionet pa gjykim. Klubi ka tashmë mijëra ndjekës në Instagram, vëmendje nga mediat kryesore amerikane dhe po bëhet frymëzim për “klube të bërtitjes” edhe në qytete të tjera.