Ballina Kulturë Monitorimi i trashëgimisë kulturore nga zjarret, nis projekti për restaurimin e Kishës...

Monitorimi i trashëgimisë kulturore nga zjarret, nis projekti për restaurimin e Kishës së Shën Ilias

42
0

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, deklaroi se po ndjek nga afër situatën e zjarreve në vend për të garantuar mbrojtjen e pasurisë kulturore.

Siç njoftohet, deri tani shumica e monumenteve kanë shpëtuar nga rreziku, megjithatë, ka dhe raste dëmtimi.

Kisha e Shën Ilias, një monument kulture i kategorisë së dytë në fshatin Lekël, është dëmtuar nga zjarri. Menjëherë pas vlerësimit të dëmit, ka nisur puna për hartimin e projektit të restaurimit.

Në Manastirin e Shën Mërisë së Krimanovës në Piqeras, flakët kanë dëmtuar vetëm bimësinë në oborrin e pasëm, pa prekur strukturën e vetë manastirit.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe ushtrisë, monumente të rëndësishme si Muzeu i Kastriotëve dhe Kështjella e Fletit në qarqet Dibër dhe Shkodër janë mbajtur jashtë rrezikut.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në të gjitha zonat e prekura ka qenë në gatishmëri të plotë, duke marrë masa parandaluese si krijimi i brezave të sigurisë, largimi i vegjetacionit dhe bashkëpunimi me ekipet në terren.

Ministria apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke u bërë thirrje që të mos ndezin zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo shenjë tymi apo zjarri.