Pas lutjes së Engjëllit në Castel Gandolfo, Papa Leo shënoi Solemnitetin e Ngjitjes në Qiell të Marisë, duke ia besuar lutjen e tij për paqe ndërmjetësimit të saj. Ai theksoi se Maria “vuan për të këqijat që i prekin fëmijët e saj, veçanërisht të vegjlit dhe të dobëtit”. Gjatë shekujve, shpjegoi Papa, ajo ka zbuluar afërsinë e saj me ata që janë në nevojë përmes mesazheve dhe shfaqjeve.
I sapoardhur nga tragjedia e luftës më të përgjakshme që bota kishte parë ndonjëherë – Lufta e Dytë Botërore – Papa Piu XII shpalli dogmën e Ngjitjes në Qiell në vitin 1950.
Ai shkroi: “Ka arsye për të shpresuar që të gjithë ata që reflektojnë mbi shembullin e lavdishëm të Marisë do të jenë gjithnjë e më të bindur për vlerën e jetës njerëzore.” Papa Piu vazhdoi duke shprehur shpresën e tij që bota nuk do ta shihte më kurrë, “kasaphanën e jetës njerëzore përmes luftës”.
Papa Leo theksoi se si fjalët e paraardhësit të tij mbeten të rëndësishme edhe sot.
“Mjerisht ndihemi të pafuqishëm përballë përhapjes në rritje të dhunës në botë – një dhunë gjithnjë e më e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj çdo impulsi të njerëzimit.”
Por, theksoi Papa, nuk duhet ta humbasim shpresën. Ai përsëriti se Zoti është më i madh se mëkati njerëzor dhe çdo dhunë me të cilën përballemi.
“Nuk duhet t’i dorëzohemi dominimit të konfliktit dhe armëve”, sepse me Marinë, e dimë se Zoti vazhdon të na ndihmojë. Papa Leo argumentoi se vetëm nëpërmjet mëshirës së Zotit, “mund ta rizbulojmë rrugën e paqes”.