Ballina Ekonomia Spanja në luftë me flakët/ Shatë persona kanë humbur jetën këtë muaj,...

Spanja në luftë me flakët/ Shatë persona kanë humbur jetën këtë muaj, mbyllen rrugë dhe akse hekurudhore nga zjarret

0
23

Si në shumë vende të Mesdheut dhe jo vetëm, edhe Spanja është duke u përballur me 14 zjarre të mëdha dhe autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e bëjnë më të vështirë luftimin tyre.

Si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën shtatë njerëz këtë muaj në Spanjë. Vala e të nxehtit, që ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat nga jugu, e kanë bërë edhe më sfiduese punën e zjarrfikësve në një nga verat më të vështira për zjarret në 20 vjetët e fundit, tha Virginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës.

Në Galicia, disa vatra zjarri u bashkuan duke formuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense në Galicia u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.

Shumë banorë u evakuuan, disa qëndruan për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre. Agjencia kombëtare e motit AEMET paralajmëroi për rrezik ekstrem zjarri në veri dhe perëndim të vendit, pasi temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë celsius në bregun verior.

Një zjarr pranë Molezuelas de la Carballeda në rajonin Castile dhe Leon, që është një nga më të mëdhenjtë në historinë e Spanjës, nuk kishte avancuar që nga e enjtja.

Dy persona u arrestuan në Costa da Morte në Galicia për shkaktim të zjarreve, pasi dogjën jashtëligjshëm kabllo bakri për të nxjerrë metalin dhe për ta shitur, sipas Ministrisë së Brendshme.

Zjarret këtë vit kanë djegur mbi 157.000 hektarë, pothuajse dyfishin e mesatares vjetore që nga viti 2006, sipas Shërbimit të Informacionit mbi Zjarret Pyjore të Bashkimit Evropian.