Një përmbytje e menjëhershme ka shkaktuar një tragjedi të madhe në Kashmirin e administruar nga India, ku të paktën 60 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Ngjarja ndodhi të enjten në fshatin Chositi, në distriktin Kishtwar, një zonë e largët e njohur si pikë ndalimi për pelegrinët hindu që vizitojnë faltoren e Machail Mata në Himalaje. Sipas autoriteteve vendore, mbi 100 persona janë plagosur dhe shumë prej tyre po marrin trajtim mjekësor në spitalin e distriktit në Kishtwar. Kryeministri i Xhamu dhe Kashmirit, Omar Abdullah, konfirmoi bilancin e viktimave gjatë fjalimit të tij për Ditën e Pavarësisë në Srinagar, duke theksuar se operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim dhe do të intensifikohen në orët e ardhshme.
Raportimet nga terreni tregojnë se një rrëke e fuqishme uji, balte dhe mbeturinash u përplas me shpejtësi nga një kodër, duke marrë me vete dhjetëra persona dhe shkatërruar gjithçka në rrugën e saj. Chositi, si pika e fundit e aksesueshme me automjet para se pelegrinët të vazhdojnë në këmbë drejt faltores, ishte i mbushur me vizitorë në momentin e katastrofës.
Zyrtarët dyshojnë se përmbytja është shkaktuar nga një breshëri resh, fenomen i zakonshëm në zonat malore gjatë sezonit të musonit, megjithëse kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga departamenti meteorologjik i Indisë.
Ndërkohë ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar nën baltë e rrënoja, ndërsa dhimbja dhe ankthi rriten mes familjarëve të viktimave dhe pelegrinëve të shpëtuar.