Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka ndarë përvojat e tij nga një vizitë në Kosovë, ku zhvilloi një udhëtim në Majën e Çorovodës, në 1,800 metra lartësi, afër kufirit me Serbinë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Berisha e përshkruan këtë udhëtim si një rikthim në rininë e tij, duke kujtuar verat e kaluara në bjeshkët e Alpeve dhe pasionin për ngjitjet dhe notin në lumenjtë e kristaltë.
“Deri në moshën 27-vjeçare, çdo verë e kam kaluar në bjeshkë, në Alpe. Udhëtimet e gjata, ngjitjet në maja, herë edhe të thepisura, si alpinist popullor dhe noti në ujërat e kristalta të lumenjve, që shpesh vinin nga shkrirja e borës, së bashku me leximin plot pasion të librave, mbushnin ditët e jetës sime “alpine”. Kisha ngjitur çdo majë që rrokte syri, nga Shkelzeni te Lugu i Gusanit, përballë Gjerovicës”, kujton Berisha.
“Kurse tani po nisesha drejt një maje që nuk e kisha parë kurrë, por që më tërhiqte si magnet, njësoj si majat e bjeshkëve të mia. Teknikën e kisha, por duhej edhe forca. Udha kalonte nëpër një luginë të rrethuar nga të dy anët me bredha madhështorë. Në të dy anët e saj, banorët kishin ndërtuar vila druri të bukura për pushime verore. Refuzova makinën sa herë që m’u sugjerua në të përpjetat e forta”, shtoi ai.
Ai përshkruan bukuritë natyrore të zonës, vilat druri, fermat me kuaj dhe liqenin e vogël në majë, që duket si një diamant në kurorën e saj.
“Gjatë ecjes bëmë dy pushime rreth 15 minutëshe dhe, pas afro 10 mijë hapash ngjitjeje, arritëm në majën e Çorovodës, në 1800 metra lartësi, ku ndahet kufiri midis Kosovës dhe Serbisë (Sanxhakut). Pamja që hapej nga njëra anë Kosova, nga tjetra Sanxhaku ishte e pafund dhe madhështore. Në majë ndodhej edhe një liqen i vogël, i cili, edhe në këtë verë të thatë, kishte ujë dhe e zbukuronte si një diamant në kurorën e saj. Aty ishte edhe një fermë kuajsh të racave të ndryshme, shumë mirë të mbajtur dhe të bukur”.
“Nga Istogu e Peja, të rinj vinin këtu me motorçikleta dhe shëtisnin me kuajt. Disa nga miqtë e mi zgjodhën kuajt që dëshironin dhe kalëruan për t’u zbavitur. I zoti i fermës solli edhe për mua një kalë të bukur, dori, me një larë të bardhë në ballë. U afrova, por me “shpirt të ndezur dhe zemër të thyer”, siç thotë Edgar Allan Poe, dhe e përkëdhela. Shpirti ato çaste u ndez vërtet, sepse u rizgjua tek unë pasioni i fëmijërisë për kalin, të cilin e doja shumë dhe e kalëroja në bjeshkë me ose pa shalë, me ose pa samar, në livadhe që ishin një vrap kali. Por zemra ime ishte e thyer, sepse, megjithë pasionin dhe mundësitë që kisha pasur në rini, nuk kisha kalëruar më kurrë. Vetëtimthi mendova se nuk e meritoja kënaqësinë dhe as jehonën e lajmit, ndaj u ktheva dhe u ula aty ku isha. U ktheva me zemër të thyer”.
Berisha kujton gjithashtu tragjedinë e Lugut të Butë gjatë luftës së fundit, ku shumë shqiptarë u ekzekutuan nga ushtria serbe, duke i dhënë udhëtimit edhe një dimension historik dhe epik.
Në majën e Çorovodës kishte edhe një muranë për një të rënë nga barbarët serbë. Në fakt, Lugu i Butë ishte edhe Lugu i Gjakut. Në luftën e fundit, hordhitë e ushtrisë serbe, nga maja e Çorovodës, ishin dyndur në Lugun e Butë dhe, në një akt barbarie e gjenocidi, kishin arrestuar në stanet e tyre ose në pyll 53 gra, fëmijë, burra të moshuar e invalidë, dhe i kishin ekzekutuar vetëm pse ishin të etnisë shqiptare.
“Malet, bjeshkët janë epike! Ky udhëtim me miqtë dhe mikpritësit tanë do të mbetet një kujtim i paharrueshëm”, shkruan Berisha, duke falënderuar familjen e Gani Dreshajt dhe të gjithë të pranishmit për organizimin e jashtëzakonshëm të vizitës.