Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar nga Armela Ferko, ka folur për aferën skandaloze të Eco Parkut në Durrës, ku janë zhdukur 13 milionë euro, si dhe marrjen në pyetje të ish-zyrtarit socialist që ka disbursuar paratë në atë kohë, Alqi Bllako, i cili u mor në pyetje nga SPAK.
Hoxhaj theksoi se nga shteti ‘janë disbursuar 19 milionë euro, ndërkohë që punimet të faktuara me fatura që ne i kemi publikuar në emisionin Plug, kanë kushtuar jo më shumë se 6 milionë euro’.
‘13 milionë euro janë zhdukur dhe këtu lind detyra e SPAK për të hetuar dhe për të vërtetuar se ku shkuan 13 milionë euro të Eco Parkut’, u shpreh Hoxhaj.
Intervista në studio:
Hoxhaj: 6 milionë nga 19 milionë euro që qeveria shqiptare sot që flasim i ka disbursuar cent më cent, janë transferta publike që janë bërë për ndërtimin e Eco Parkut. Janë disbursuar 19 milionë euro, ndërkohë që punimet të faktuara me fatura që ne i kemi publikuar në emisionin Plug, kanë kushtuar jo më shumë se 6 milionë euro. 13 milionë euro janë zhdukur dhe këtu lind detyra e SPAK për të hetuar dhe për të vërtetuar se ku shkuan 13 milionë euro të Eco Parkut.
Ferko: Cila është lidhja e afërt e kësaj afere me kryeministrin apo me njerëz të kryeministrit?
Hoxhaj: Kryeministri është lidhja e parë kryesore në këtë aferë sepse është njeriu që e ka promovuar i pari publikisht në një studio televizive për ndërtimin e Eco Parkut. Ka qënë njeriu që ka firmosur dokumenta të cilat të çojnë te abuzimi i 13 milionë euro. Ka qënë njeriu që firmosi vendimin e Komitetit Ndërministror për Përballimin e Emergjencës që detyronte bashkitë e vendit të dërgonin mbetjet e ngurta në ish-landfillin e mbetjeve në Porto Romano. Është njeriu që e ka promovuar këtë projekt dhe ka firmosur dokumenta.
Është ministrja Anila Denaj që firmosi anulimin e tenderit dhe më pas u bë ajo që u bë.
Kemi persona më të lartë të shtetit, kryeministrin, ish-ministren e Financave por edhe zyrtarë të tjerë si Alqi Bllako që është marrë në pyetje dhe është njeriu pika kyçe në këtë afera pasi ka disbursuar paratë, por kjo aferë ka lidhje të drejtëpërdrejtë me kryeministrin. Edhe kompanitë që e kanë fituar dhe zbatuar tenderin kanë lidhje me kryeministrin, duke filluar nga kompania e inceneratorëve dhe kompania Casanova Ernandes.
Kjo kompani ka bërë projekte të shumta, si projektin për Muzeun Kombëtar, Muzeun Marubi në Shkodër, Sistemin e Muzeumeve në Gjirokastër, Shtëpia Muze e Ismaik Kadare etj. etj.
Është një kompani që ka lidhje të forta dhe të drejtëpërdrejta me qeverinë. Edhe familjarë të kryeministrit kanë lidhje me këtë.