Ballina Sport Bellingham shpenzon 32 milionë euro për dy vila luksoze

Bellingham shpenzon 32 milionë euro për dy vila luksoze

12
0

Futbollisti anglez, Jude Bellingham, nuk ka ndërmend të largohet nga Madridi as në afat të shkurtër, as në të mesëm. Kjo mund të thuhet me siguri, jo vetëm për shkak të performancës së tij të shkëlqyer në fushë, që e ka kthyer në një nga lojtarët më të mirë të ekipit të bardhë, që tashmë drejtohet nga Xabi Alonso, por edhe për blerjen më të fundit në kryeqytetin spanjoll.

Anglezi sapo ka shpenzuar një shumë shumë të madhe parash për blerjen e fundit. Në fakt, nuk e ka investuar gjithçka në një pronë të vetme, por ka blerë dy vila të vendosura në një nga rezidencat më ekskluzive të kryeqytetit spanjoll.

Vetëm 21 vjeç dhe me një karrierë të tërë përpara, ish-lojtari i Borussia Dortmundit jo vetëm që ka futur këmbën, por gjithë trupin në sektorin imobiliar. Në mënyrë të veçantë, Bellingham ka blerë dy vila luksoze në “La Moraleja”, një nga zonat më të shtrenjta të një prej lagjeve më luksoze të Madridit, me çmim prej 16 milionë euro secila, gjithsej 32 milionë euro.

Banesat ndodhen shumë afër “Real Club de Golf” dhe, sipas “Vanitatis”, njëra do të shërbejë si shtëpi për futbollistin, ndërsa tjetra për nënën e tij, Denise. Të dyja vilat kanë pamje ultramoderne dhe dallohen për dritaret gjigante që hapen drejt kopshtit e pishinës.

Sa i përket hapësirës, lojtari i Real Madridit do ta ketë me bollëk. Secila vilë ka 1.000 metra katrorë të ndërtuar dhe 3.000 metra katrorë truall. Çdo vilë ka 7 dhoma gjumi dhe 7 banjo, si dhe garazh me 4 vende parkimi.

Siç pritej nga një investim i tillë, përfshihen gjithashtu pishina të brendshme dhe të jashtme, sauna, palestër, bodrum vere dhe kinema private. Madje, vilat janë të pajisura edhe me ashensorë.

Të dyja pronat janë pjesë e një projekti të ideuar nga studiot e njohura të arkitekturës, “The Trilogy”, që përfshin tre vila në total. Secila prej tyre ka edhe emrin e vet: Villa Lavan, Villa Lago dhe Villa 18. Bellingham ka blerë vetëm dy prej tyre.

Kështu, familja e tij do të ndahet (edhe pse vetëm disa metra larg njëri-tjetrit), pas bashkëjetesës që prej mbërritjes së mesfushorit te Real Madridi, në një shtëpi në Valdemarín. Ndërtimi i vilave është ende në proces dhe po monitorohet nga afër prej nënës së tij, e cila po merret personalisht me mbikëqyrjen e punimeve.

Aktualisht, Bellingham fiton 20.83 milionë euro në sezon te Real Madridi, duke u pozicionuar në nivelin e tretë të pagave së bashku me Vinicius, pas vetëm David Alaba (22.5 milionë euro) dhe Kylian Mbappé (31.25 milionë euro).