Nga Basir Çollaku
Në Serbi protestat antiregjim ndaj Vuçiç, janë zgjuar me nerv në muajin e nëntë të reagimit studentor, Aleksandër Soros rikthehet brenda dy javësh për të dytën herë në vilat qeveritare në Dhërmi të vëlla Rama, duke rritur dyshimet e halleve të shtuara apo telasheve të prodhuara, ndërsa SPAK mes të tjerash ka bërë me dije se po heton Eco Parkun, një tender 18. 5 milionë euro, ku janë përmendur të përfshirë, familjarë të kryeministrit të vendit. Denoncimet vijnë prej kohësh.
Së pari herë kjo e fshehtë u përmend nga ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj, ku theksoi përfshirjen në këtë biznes të familjarëve të kryeministrit Edi Rama. Më pas nga emisioni Plug Tv Syri. Lidhjet e kësaj dosje me inceneratorin e Tiranës dhe pronarët e kompanisë së tre djegësve janë të provuara. Po përse vjen pas gjashtë vitesh e ndarë e copëzuar një tjetër hetim për mbetjet dhe një tender në mes?!
Ndërkohë ish-deputeti Bllako gjendet i dënuar për Elbasan dhe Tiranë për inceneratorët, tashmë merret në pyetje për një çështje çuditërisht e trajtuar më vete. Ngjan se Struktura e Posaçme ka hyrë në dietë me këtë strategji hetimore. Tirana, Elbasani dhe Fieri, bashkitë e këtyre qarqeve Këshilli Ministrave, ministra, janë aktorë e firmëtarë në këtë sipërmarrje ku paratë e dhëna janë publike.
Kryebashkiakun i Tiranës Erion Veliaj në qeli, ende nuk e kanë pyetur për inceneratorët, Sako e Durrësit e Subashi i Fierit, kanë qenë me pikatore përballë prokurorëve. Rama si firmosës kompanisë fantazmë duke i dhënë një bonus, apo si mbikqyrës për 17 vendime qeverie në një ditë, nuk është thirrur.
Po për Eco Park a do të dëshmojë, a do ta thërrasin? Duke iu referuar sjelljës së Strukturës me dosjet e shumta të saj ku përmendet emri i kryeministrit, por dominon mungesa e thirrjes së tij nga prokurorët, çmoj se nuk do të ketë surpriza. Pra dyshoj se jo? Nuk kanë fuqi pavarësie ta bëjnë. E kundërta ka ndodhur fatkeqësisht. Kur Rama ka sulmuar publikisht një kundërshtar, u ka kërkuar SPAK të nisin hetimet, si në rastet Berisha dhe Meta, ata kanë nxituar Brenda ditës kanë regjistruar procedimet penale.
Kur sërish Rama ka sulmuar një prokuror apo gjyqtar, duke i bërë gjyq mediatikisht, Këshillat e prokurorisë e gjyqsorit janë sjellë ndaj kolegëve sipas oreksit të kreut të qeverisë. Ndonëse dëmi prej 430 milionë eurosh me një numër të lartë të pandehurisht, zyrtarë e sipërmarrës, inceneratorët, u shpartalluan si dosje. Nga vetë Prokuroria. Inspektoriati Lartë i Drejtësisë largqoftë të kishte marrë një nismë për të parë shkeljet e dhunshmë të prokuror-gjykatësve në vendimet e tyre. Në këtë çështje test të SPAK, mungon akuza organizatë kriminale, grup i strukturuar criminal, ndonëse provat dhe faktet bërtasin publikisht.
Hetimi ka anuar dukshëm nga amnistia. Edhe Eco park edhe 5D, edhe Veliaj-Xoxa duhet të ishin bashkuar në një procedim të përbashkët. Këto material hetimore nuk investigohen të ndara, përjashtuar rastin kur je duke mbrojtur të pandehur të rëndësishëm. Një nga dosjet e fundit të Strukturës së posaçme një histori kontrabandë cigaresh, saktësisht një fasoneri duhani, u shpalll organizate kriminale.
Ndërsa djegësit rreth të cilëve vërtet krejt qeveria duarpërlyer në vjedhje na del shpërdorim detyre e fshehje parash. Duke qenë dhe në prag të nisjes së procedurave për drejtuesin e ri të Strukturës së posaçme pasi mbaron mandati i Altin Dumanit, hijet lënë shteg për ujdira në dëm të ligjit e hetimit.