Ballina Kronika “Djali ynë dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale”, Prindërit e...

“Djali ynë dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale”, Prindërit e Martin Canit: Mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje! Duhen masa konkrete jo reforma kozmetike

0
26

Prindërit e Martin Canit kanë dhënë një deklaratë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq pak ditë më parë, ku një 14-vjeccar humbi jetën pas një konflikti me thikë.

Ata janë shprehur se kjo vërteton që mbyllja e aplikacionit TikTok në Shqipëri nuk ishte zgjidhje e problemit, ndërsa kanë kërkuar nga qeveria marrjen e masave konkrete për zgjidhjen e situatës.

Deklarata për shtyp
Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka rradhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?
Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.
Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.
Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj.
Familja Cani