Ballina Kulturë KPop Demon Hunters, prodhimi i Netflix që u kthye në sensacion global

KPop Demon Hunters, prodhimi i Netflix që u kthye në sensacion global

40
0

Që prej daljes në qershor, KPop Demon Hunters ka pushtuar botën duke thyer rekordet e Netflix me mbi 33 milionë shikime në dy javë dhe duke u renditur në top dhjetëshe në 93 shtete, shkruan BBC.

Filmi i animuar ka frymëzuar vepra artistike nga fansat, ka nxitur kërkesën për pjesën e dytë dhe ka bërë që bandat muzikore imagjinare të K-pop si Huntr/x dhe Saja Boys të dominojnë në renditjen e botës së vërtetë duke tejkaluar BTS dhe Blackpink.

Historia vërtitet rreth Huntr/x, një grup vajzash që janë si rojtare të fshehta të botës të cilat përballen me kërcënime mbinatyrore nën velin e famës së K-pop. Me aksion, humor, paraqitje vizuale verbuese dhe një mesazh universal për identitetin dhe miqësinë, filmi përzien fantazinë dhe thellësinë emocionale.

Por është muzika ajo që ka sjellë suksesin. Bashkëregjisorja Maggie Kang, e frymëzuar nga dashuria e saj për K-pop, u sigurua që kolona zanore të përputhej me historinë. Këngët origjinale janë armë të mbinatyrshme dhe spiranca emocionesh. Kolona zanore tani dominon grafikët e Billboard dhe Spotify.

Filmi ka edhe autenticitet kulturor. Përveçse shpalos peizazhet dhe traditat e Seulit, nga banjat te simbolet shamane, integron me kujdes jetën e përditshme koreane dhe kulturën. Animacioni i çdo personazhi është krijuar duke pasur parasysh shqiptimin korean dhe duke i dhënë audiencës një përfaqësim të rrallë dhe të saktë.

Kritikët theksojnë se filmi arrin edhe tek ata që nuk përfshihen te admiruesit e K-pop. Animacioni ka ndihmuar në tejkalimin e hendeqeve kulturore dhe temat universale të vetëpranimit dhe miqësisë depërtojnë në të gjithë botën.

“KPop Demon Hunters nuk është vetëm rreth një grupi, por manifeston gjithë kulturën K-pop. Dhe e bën në një formë që fton këdo”, thotë kritikja e muzikës, Kim Youngdae