Ballina Aktualitet Përkujtohet 76-vjetori i masakrës së Valmirit në Mirditë, 14 burra u pushkatuan...

Përkujtohet 76-vjetori i masakrës së Valmirit në Mirditë, 14 burra u pushkatuan nga komunistët

10
0

Në Mirditë u përkujtua 76-vjetori i Masakrës së Qafë Valmirit, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së kësaj treve.

Për të nderuar 14 burrat, që më 17 gusht 1949 u pushkatuan nga regjimi komunist, familjarë, përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë dhe deputetë të Partisë Demokratike vendosën kurora dhe zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në Qafë Valmir.

Familjarët dhe të afërmit e të pushkatuarve, apelojnë se kjo ditë e zezë në historinë e Mirditës dhe Shqipërinë, të mos harrohet kurrë si referencë e krimeve të totalitarizmit.

Në shenjë hakmarrjeje, pas vrasjes së sekretarit të parë të Mirditës nga komiteti i maleve, një formacion i armatosur që kundërshtonte diktaturën dhe kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare, forcat komuniste ekzekutuan 17 gushtin e 76 viteve më parë 14 burra nga familje të njohura mirditore.

Masakra e Qafë Valmirit shënoi fillimin e një vale të gjerë terrori komunist në këtë zonë. Qindra persona u burgosën, mbi 400 familje u internuan dhe popullsia u çarmatos me forcë nga ushtria.