Ballina Europë ‘Përroi i Bufit’/ U kapën në serat me kanabis në malet e...

‘Përroi i Bufit’/ U kapën në serat me kanabis në malet e Spanjës, arrestohen 4 shqiptarët

30
0

Të paktën nëntë serra me plantacione kanabisi janë zbuluar nga dronët e policisë spanjolle mes të maleve në Teruel, në një zonë të lartë malore, me terren shkëmbor e të thepisur, që quhej “Përroi i Bufit”.

Mediat spanjolle bëjnë me dije se në operacion u sekuestruan 7700 bimë kanabisi dhe katër shqiptarë u arrestuan në flagrancë.

Operacioni që çoi në arrestimin e katër shqiptarëve mori edhe emrin nga vendi ku ishte kultivuar droga, “Përroi i bufit”.

Lënda narkotike ishte mbjellë në mes të maleve në komunën e Arcos de las Salinas, Teruel, ndërsa emrat e shqiptarëve nuk u bënë të ditur.

Policia spanjolle publikoi edhe pamje nga ky operacion, me agjentët e armatosur që i drejtojnë armët anëtarëve të grupit, u vënë duart pas koke dhe i shtrojnë përtokë deri në prangosje. Në aksion nuk kanë munguar as qentë antidrogë.

Gjykatësi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Hetimit Numër Tre të Teruelit ka urdhëruar paraburgim për katër të dyshuarit për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin dhe trafikimin e paligjshëm të drogës. Gjykatësi gjithashtu beson se ka prova se të dyshuarit mund t’i përkasin një organizate ose grupi kriminal.