Ballina Opinion Prometeja e Kuvendit si urë lidhëse mes Ekzekutivit dhe Legjislativit

Prometeja e Kuvendit si urë lidhëse mes Ekzekutivit dhe Legjislativit

46
0

Nga Klevis Bakillari

Elisa Spiropali, një emër që përdoret shpesh si sinjal lëvizjeje dhe transformimi në politikën shqiptare, u emërua si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më 30 korrik 2024 . Ky emërim shënon një moment kyç: mori drejtimin e Parlamentit në kulmin e aspiratës për integrim në Bashkimin Europian dhe në një kohë që demokracia shqiptare duhet të dëshmojë më tepër transparencë, pjesëmarrje dhe efikasitet.

Kuvendi nuk mbeti sallë ku përplasen partitë, por u bë një amfiteatër i demokracisë moderne. Si përfaqësuese e Kuvendit, ajo ka promovuar transparencën, proceset publike dhe pjesëmarrjen rinore përmes platformave si “Kuvend-ON” për dialog me të rinjtë dhe akses më të madh në jetën demokratike .
Kur Shqipëria festoi Ditën Ndërkombëtare të Informimit, Spiropali theksoi rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare për një parlament më të hapur dhe efektiv.Në një konferencë rajonale në shkurt 2025, ajo prezantoi një plan strategjik 2025–2030, i cili synon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe kontrollit ndaj ekzekutivit për të përgatitur institucionet ligjvënëse për anëtarësim në BE deri në vitin 2030 .Në një tjetër forum në mars 2025, Spiropali evidentoi përfshirjen e praktikave parlamentare të avancuara—si panele qytetare dhe modele nga Bundestagu gjerman e parlamenti skocez—si shprehje e një Kuvendi që dëshiron ta shndërrojë legjislativin në një institucion më përfshirës e konsensual .Spiropali ka vendosur edhe momente simbolike në agjendën parlamentare. Në prag të 1 Qershorit 2025, për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ajo organizoi një event ku fëmijët të njiheshin me punën e Kuvendit dhe prezantoi “Kushtetutën për Fëmijë”, një botim edukativ që synon ta bëjë demokracinë më afër të rinjve.Në Ditën e Punëtorëve (1 Maji 2025), Spiropali shpërndau një mesazh ku Kuvendi shprehej i angazhuar për më shumë drejtësi sociale – për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe përfshirjen e grave dhe të rinjve në tregun e punës .

Në politikën shqiptare, ku shpesh fjala humbet në vorbullën e përplasjes, Elisa Spiropali ka qëndruar një zë i fortë ,duke i dhënë Kuvendit jo vetëm ritëm, por edhe dinjitetin e një institucioni udhëheqës. Ishte fytyra femërore e vendosmërisë në një sallë ku dominimi historikisht ka qenë mashkullor; një figurë që e shndërroi forcën e butë të dialogut në një armë politike po aq të fuqishme sa argumenti ligjor. E shndërroi integrimin në BE nga një slogan politik në një rrugëtim të planifikuar me busull të saktë. Me Planin Strategjik 2025–2030,nuk flet për ëndrra abstrakte, por vizaton një hartë konkrete drejt Brukselit. Në veprimtarinë e saj, Shqipëria nuk është një anije e humbur në det, por e drejtuar nga timoni i reformave, ku Kuvendi është kapiteni që mban kursin drejt brigjeve europiane.Spiropali i jep shoqërisë një orientim dhe një datë-vitin 2030-që nuk është thjesht kalendar politik,por shkëndijë shprese kombëtare.Edhe retorikën në përplasjet politike ajo e ka përdorur si një mburojë e institucioneve dhe një shpatë që mbron imazhin e Shqipërisë. Kur kritikat nga jashtë apo nga brenda synojnë të njollosin rrugën e vendit, ajo ngrihet si një luaneshë politike që nuk pranon ta shohë flamurin kuqezi të përmbytet nga balta e paragjykimeve.Kjo gjuhë e fortë, që shpesh keqkuptohet si arrogancë, është në fakt mishërim i vetëdijes kombëtare: një kujtesë se Shqipëria ka të drejtë të flasë me dinjitet në arenën europiane.

Spiropali është ndoshta figura që më shumë se kushdo tjetër përfaqëson bashkimin e brezave politikë. Është njëkohësisht zëri i së resë dhe garancia e traditës socialiste. Shpesh kritikohet si besnike ndaj Ramës, por në të vërtetë kjo besnikëri është shenjë konsistence politike – një cilësi e rrallë në politikën shqiptare, ku shumë figura kanë ndryshuar flamurët partiak sipas erës elektorale.Në këtë kuptim,është si një rrënjë e thellë që mban të fortë trungun e Partisë Socialiste, por edhe një degë e re që shtrihet drejt dritës së modernitetit europian.Elisa Spiropali e ka vendosur integrimin europian si vulën politike të saj në drejtimin e Kuvendit. Një arkitekte e re e Kuvendit, që mbi themelet e një politike të lodhur përplasjesh, ngriti një urë të madhe drejt Europës. Është njëkohësisht gardiane e dinjitetit kombëtar dhe ndërmjetëse e gjeneratave të reja, një figurë që gërsheton logjikën e ligjit me forcën e simbolit.