Ballina Kuriozitete Shkencëtarët zhvillojnë një sistem që mund të lexojë mendimet – por vetëm...

Shkencëtarët zhvillojnë një sistem që mund të lexojë mendimet – por vetëm me fjalëkalim

12
0

Hulumtuesit kanë prezantuar një “brain-computer interface” (BCI) që mund të kthejë të folurit e brendshëm, pra mendimet e përdoruesit, në fjali, me një saktësi deri në 74 për qind.

Ndryshe nga pajisjet e mëparshme, sistemi fillon dekodimin vetëm kur përdoruesi mendon një fjalëkalim të paracaktuar, duke parandaluar kështu “dëgjimin” aksidental të mendimeve që personi nuk dëshiron t’i ndajë.

Studimi, i publikuar në revistën Cell, tregon se BCI përdor mikroelektroda të vendosura në “korteksin motorik” për të regjistruar sinjalet e trurit të katër pjesëmarrësve me vështirësi në të folur.

Këto sinjale u analizuan nga inteligjenca artificiale, e cila njeh fonemet dhe i bashkon ato në fjalë nga një fjalor me 125,000 terma. Rezultatet treguan se të folurit e brendshëm dhe përpjekjet për të folur burojnë nga e njëjta zonë e trurit, por sinjalet e të folurit të brendshëm janë më të dobëta.

Fjalëkalimi si çelës privatësie
Për të dhënë përdoruesve kontroll të plotë, studiuesit kanë futur një fjalë “trigger” që aktivizon dekodimin.

Kur pjesëmarrësit në mendje thoshin fjalëkalimin “Chitty-Chitty-Bang-Bang”, sistemi e njihte atë me saktësi mbi 98 për qind. Kjo lejon që pajisja të mbetet e fikur derisa përdoruesi të vendosë të ndërveprojë me të.

Ekspertët theksojnë se kjo qasje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të sistemeve BCI më të sigurta, të cilat mund të ndihmojnë njerëzit me paaftësi në të folur, duke ruajtur kontrollin e plotë mbi mendimet e tyre.

Ekipi planifikon të studiojë zona të tjera të trurit dhe të përmirësojë shpejtësinë dhe saktësinë e dekodimit, me qëllim mbështetjen e një spektri më të gjerë të vështirësive në komunikim.