Ballina Europë Zelensky: E pamundur të japim territore, Putini s’ka arritur sukses në Donetsk...

Zelensky: E pamundur të japim territore, Putini s’ka arritur sukses në Donetsk prej 12 vitesh

33
0

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite në Bruksel, ka deklaruar se për vendin e tij është “e pamundur” të pranojë humbje territoriale apo shkëmbim territoresh me Rusinë.

“Rusia vazhdon të mos ketë sukses në rajonin e Donetskut. Putin nuk ka arritur ta pushtojë këtë territor në 12 vite dhe Kushtetuta e Ukrainës e bën të pamundur cedimin apo shkëmbimin e tokave”, tha Zelensky para medieve.

Ai theksoi se çështja territoriale, për shkak të rëndësisë që ka për sovranitetin dhe të ardhmen e shtetit ukrainas, “mund të diskutohet vetëm mes liderëve të Ukrainës dhe Rusisë në kuadër të një samiti trilateral”, duke nënkuptuar ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian dhe NATO-n.

Deklarata e Zelensky-t vjen në një moment kur në frontin lindor po vazhdojnë luftimet e ashpra, veçanërisht në Donetsk, ndërsa Rusia, pas më shumë se një dekade agresioni, ende nuk ka arritur të marrë kontroll të plotë mbi këtë zonë strategjike. Nga ana tjetër, Kievi mbështetet nga ndihma ushtarake dhe ekonomike e vendeve perëndimore, të cilat e shohin paprekshmërinë territoriale të Ukrainës si një vijë të kuqe që nuk mund të negociohet.

“Është thelbësore që Europa të jetë e bashkuar sot, ashtu siç ishte në fillim, siç ishte në vitin 2022 kur shpërtheu lufta në shkallë të gjerë. Kjo unitet kontribuon vërtet në arritjen e një paqeje të vërtetë dhe duhet të mbetet i fortë,” vijoi më tej Zelensky.

Analistët në Bruksel vlerësojnë se këto deklarata janë një mesazh i qartë si për Moskën, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë, se Ukraina nuk do të pranojë asnjë kompromis territorial, pavarësisht presioneve për të gjetur një rrugë drejt paqes.