Ballina Aktualitet PROJEKTI / Zona turistike e Spillesë me impiant të veçantë për ujërat...

PROJEKTI / Zona turistike e Spillesë me impiant të veçantë për ujërat e përdorura

13
0

Qeveria synon të investojë në një impiant të veçantë për trajtimin e ujërave të përdorura specifikisht për zonën e Spillesë, duke e argumentuar këtë edhe me potencialin turistik të zonës.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) njoftoi së fundmi autoritetet për projektin, duke kërkuar lejet e nevojshme për zbatimin e tij dhe duke dhënë një përmbledhje të ndikimeve që do të ketë ky investim.

AKUK vlerëson se zona, edhe pse me një numër të kufizuar banorësh, gjatë sezonit turistik sheh një rritje të dukshme të frekuentimit.

“Zona e Spillesë ka rezultuar me një popullsi prej 3310 banorësh, që në muajt e verës rritet akoma më shumë për shkak të kthimit të emigrantëve dhe turistëve. Për këtë arsye, zona është e barazvlefshme me një zonë me popullsi rreth 20,000 banorësh, duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimeve në të ardhmen të lidhura me turizmin” vlerëson raporti.

I njëjti dokument saktëson zonën që është marrë në studim për këtë projekt.

“Zona turistike e Spillesë shtrihet ndërmjet kepit të Lagjit dhe tokave të lagura në grykën e lumit Shkumbin. Zona turistike e Spillesë ka një shtrirje lineare përgjatë bregut rreth 6.5 km dhe sipërfaqe hapësire e marrë në studim për projektin e K.UZ është 500 ha.

Zona ku do të shtrihet projekti është e madhe. Ajo fillon nga ana veriore, rrëzë kodrës së fshatit Spille (Bashkia Rrogozhinë), përshkon mbarë vetë fshatin dhe ndërtimet përreth tij, më pas vazhdon me fshatrat afër për të shkuar drejt jugut për tek Hodrovori; pasi kalon këtë të fundit, mbaron në bregun verior të lumit Shkumbin” thuhet në dokument.

Investimi në një impiant të ri për trajtimin e ujërave vjen në një kohë kur nevojat mbeten të mëdha dhe vetëm një përqindje e ulët e popullsisë përfiton nga këto shërbime.

Në raport pranohet se deri në vitin 2021, janë ndërtuar 14 impiante të tilla në vend, me një investim total prej 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë.

“Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë përfiton nga këto shërbime; konkretisht, vetëm 15% e popullsisë mbulohet nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura”  thuhet në dokument.

Disa nga impiantet e ndërtuara përfshijnë ato në Kavajë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Pogradec, Korçë, Lezhë, Velipojë, Shirokë, Orikum, Palasë dhe Dhërmi. Megjithatë, për disa prej tyre janë raportuar probleme në funksionimin e plotë.