Familja mbretëroe në Norvegji është përfshirë në një skandal. Djali i madh i Princeshës Mette-Marit të Norvegjisë, Marius Borg Hoiby, po përballet me akuza të rënda penale për 4 raste përdhunimi.
Sipas deklaratës së bërë nga Prokurori i Përgjithshëm i Norvegjisë, nëse këto raste faktohen rrezikon deri në 10 vite burgim.
Përveç akuzave për përdhunim, Hoiby është i akuzuar gjithashtu për dhunë ndaj partneres, cenim të lirisë personale dhe për regjistrim të paautorizuar të materialeve personale.
“Dënimi maksimal për këto akuza është deri në 10 vjet burg. Bëhet fjalë për vepra jashtëzakonisht serioze, me pasoja të rënda për viktimat,” u shpreh kryeprokurotja.
Marius Borg Hoiby, djali i Princeshës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme para martesës me Princin e Kurorës Haakon, u arrestua më 4 gusht 2024 pas një incidenti të raportuar me partneren e tij. Arrestimi i tij çoi në nisjen e një hetimi të zgjeruar dhe në paraqitjen e ankesave të tjera nga persona të ndryshëm.
Sipas prokurorisë, katër aktet e dyshuara të përdhunimit kanë ndodhur gjatë viteve 2018, 2023 dhe 2024, rasti i fundit ndodhi pas fillimit të hetimeve zyrtare.