Prodhuesi i këpucëve Solid, me bazë në Suharekë, po paralajmëron se do të zhvendosë operacionet e tij në Kukës të Shqipërisë nëse nuk zgjidhen problemet e vazhdueshme me energjinë elektrike.
Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, shpreh shqetësim të thellë për shkëputjet e energjisë dhe kostot e larta shtesë, duke e cilësuar situatën si “shumë të vështirë.”
Sipas Kuçit, kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes KEDS për këtë çështje, por procesi gjyqësor mbetet i pazgjidhur. Kuçi thekson se KEK-u (Korporata Energjetike e Kosovës) ka kërkuar një garancion prej 15,000 eurosh nga kompania, pa dhënë asnjë shpjegim të vlefshëm për këtë kërkesë. Për më tepër, fatura e fundit e energjisë ishte 2,200 euro më e lartë se normalja.
Kuçi shpreh dyshime se kjo kërkesë për garancion po përdoret si pretekst për të rritur çmimet e energjisë.
Kompania “Solid”, e cila operon prej rreth 20 vitesh dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj, ndodhet nën presion të madh për shkak të kontratave afatgjata me partnerë evropianë. “Ne nuk mund të ndalemi,” shprehet Kuçi, duke shtuar se puna e tyre është e lidhur me partnerë ndërkombëtarë dhe se ata nuk mund të ndërpresin prodhimin, pavarësisht kostove të papritura.
Biznesi paralajmëron krizë ekonomike
Aleanca Kosovare e Bizneseve lëshoi alarmin për krizën e thellë të energjisë që po godet bizneset në Kosovë, duke njoftuar se ndërprerja e papritur dhe e dhunshme e furnizimit me energji elektrike ka lënë jashtë funksionit mbi 200 kompani me më shumë se 10 mijë punëtorë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për media kritikoi ashpër veprimet e KEDS-it dhe Policisë së Kosovës, duke i cilësuar si “shkelje të rëndë ligjore” dhe “abuzim me autoritetin”.
“Sot po përballemi me një krizë të paprecedentë. KEDS, me asistimin e Policisë, ka ndërprerë energjinë për mbi 1,200 njehsorë elektrikë që përfshijnë më shumë se 200 kompani dhe mbi 10 mijë punëtorë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi dhe imazhin e vendit,” tha Shahini.
Përplasjet mes biznesit dhe qeverisë së Kosovës erdhën pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të shkëputur nga furnizimi publik me energji bizneset e mëdha duke i detyruar ato ta gjejnë energjinë në treg të lirë.