Ballina Kulturë Eurovision ndryshon logon pas gati një dekade, fansat të pakënaqur

Eurovision ndryshon logon pas gati një dekade, fansat të pakënaqur

7
0

Për herë të parë që nga viti 2015, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka prezantuar logon e re zyrtare të Eurovisionit, e cila do të përdoret duke filluar nga edicioni i vitit 2026 dhe në të gjitha edicionet e ardhshme.

Në dizajnin e ri, zemra – simboli më i njohur i festivalit – mbetet në qendër, por logoja është modernizuar me një font të ri të quajtur “Singing Sans”, ndërsa shkronja “E” nuk është më e madhe, siç ishte në versionin e mëparshëm.

Logoja është përdorur për herë të parë në vizualet e këtij viti, me rastin e 70-vjetorit të Eurovisionit.

Krijimi i saj është realizuar nga EBU në bashkëpunim me studion britanike të brendimit PALS, e cila ka punuar edhe në identitetin vizual të Eurovision 2023 në Liverpool.

“Eurosong ka qenë gjithmonë një evolucion muzikor, kulturor dhe krijues. Ky rifreskim është një nderim për 70 vitet e jashtëzakonshme dhe një hap drejt së ardhmes. Është i guximshëm, i gjallë dhe plot zemër, njësoj si vetë festivali”, -tha Martin Green, drejtori i konkursit.

Ai shtoi se pamja e re do ta bëjë markën më të qartë në platformat digjitale dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e saj globalisht.

Megjithatë, ndryshimi nuk është pritur mirë nga një pjesë e madhe e publikut. Fansat e kanë kritikuar logon në rrjete sociale me komente të ashpra si: “Kthehuni te logoja e vjetër”, “Kjo duket si Canva ose AI, por jo në kuptimin e mirë”, “Nuk është as Disney Channel, as konkurs për fëmijë – logoja e vjetër ishte shumë më e mirë”, apo “Duket sikur është bërë nga një fëmijë”.