Administrata Shtetërore pritet ketë ndryshime të rëndësishme në strukturat dhe mënyrën e funksionimit. Në konsultim publik është hedhur projektligji me shtesa dhe ndryshime që pritet të sjellë një riorganizim të thellë në mënyrën se si funksionon administrata shtetërore, duke saktësuar rolet e ministrive, institucioneve në varësi dhe agjencive autonome.
Një nga ndryshimet kryesore është përcaktimi më i qartë i kompetencave të ministrive, të cilat, përveç hartimit të politikave, do të mbajnë përgjegjësi edhe për funksionet administrative që nuk u janë ngarkuar shprehimisht institucioneve të varësisë apo agjencive.
Institucionet e varësisë rregullohen më hollësisht: ato do të mbikëqyren nga ministritë përkatëse, por në raste të veçanta mund të vendosen edhe në varësi të Kryeministrit, sidomos kur kryejnë funksione horizontale apo prioritare.
Projektligji trajton në një nen të posaçëm krijimin, bashkimin, ndryshimet dhe shuarjen e institucioneve dhe agjencive. Nisma për këto ndryshime në çdo formë apo shuarjen e një institucioni varësie apo agjencie autonome fillon vetëm pas kryerjes nga ministria nismëtare, të një analize të thelluar organizativ-funksionale. Analiza organizativo-funksionale, përfshin të paktën specifikimin e funksioneve shtetërore në fjalë dhe arsyet thelbësore për propozimin e ndryshimit, si dhe arsyetimin për vazhdimin apo ndërprerjen e ndërhyrjes publike në këtë fushë (në vijim “analiza e interesit publik”); analizën e performancës së formës aktuale institucionale për kryerjen e funksionit që tregon domosdoshmërinë e ndryshimit, mos efektivitetin dhe mos efikasitetin e organizimit aktual (në vijim “analiza e nevojës së ndryshimit”); analizën e formave institucionale të mundshme për ushtrimin e funksioneve përkatëse, që çon në përzgjedhjen e llojit të propozuar të organizimit dhe përshkrimin e detajuar të tij (në vijim “analizave e opsioneve për kryerjen e funksioneve”).
Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për përmbajtjen e detajuar, formën dhe procedurën e shqyrtimit paraprak të raportit të analizës organizativ-funksionale dhe vendimmarrjen mbi vazhdimësinë e saj, si dhe procesin e hartimit e miratimit të aktit ligjor apo nënligjor përkatës. Departamenti i Administratës Publike jep mendim në çdo fazë të procedurës së shqyrtimit dhe miratimit, përcaktohet në dokument.
Një prej ndryshimeve thelbësore është mënyra si do të funksionojnë Agjencitë Autonome, të cilat krijohen me ligj të posaçëm, gëzojnë personalitet juridik publik dhe ushtrojnë pavarësi të plotë funksionale në kompetencat rregullatore.
Për to vendosen rregulla të detajuara mbi emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve, organizimin e brendshëm, raportimin dhe marrëdhënien me ministrinë përgjegjëse.
Ndryshime të tjera thelbësore prekin strukturat e brendshme: drejtoria shpallet si njësi kryesore vendimmarrëse brenda ministrive, ndërsa parashikohet edhe mundësia e krijimit të drejtorive me status të veçantë me pavarësi funksionale të shtuar. Roli i Sekretarit të Përgjithshëm zgjerohet ndjeshëm, duke e bërë atë figurën kryesore për drejtimin e gjithë veprimtarisë profesionale të ministrisë dhe bashkërendimin ndërinstitucional.
Projektligji prek edhe marrëdhënien e punës së zyrtarëve të kabinetit, duke e përcaktuar qartë si një marrëdhënie besimi me ministrin, me të drejtë lirimi nga detyra sipas rregullave të veçanta.Zyrtari i kabinetit përzgjidhet dhe emërohet në detyrë, lirisht, nga ministri. Akti i emërimit nënshkruhet nga ministri dhe drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit përkatës. Po kështu ai lirohet nga detyra, lirisht, nga ministri. Lirimi, bëhet me një afat njoftimi jo më pak se 30 ditë, pavarësisht nga sa ka zgjatur marrëdhënia e punësimit.
Po kështu, një pjesë e rëndësishme i dedikohet sistemit të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies: çdo institucion apo agjenci duhet të hartojë planin vjetor të performancës dhe raportin përkatës, të cilët do të diskutohen dhe miratohen me njësinë përgjegjëse në ministri. Vendosen instrumente të reja kontrolli, duke u dhënë njësive përgjegjëse të drejtën të kërkojnë dokumente, të kryejnë inspektime dhe deri të pezullojnë apo të revokojnë akte administrative nëse konstatojnë shkelje. /ekofin.al