Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijon të zhytet në skandale dhe abuzim me fondet shtetërore. Ndërsa Ceno Klosi, ish-drejtor i Tatimeve, shkarkoi padrejtësisht një punonjëse nga puna se mori leje për varrimin e të motrës, Drejtori aktual Ilir Binaj refuzon që t’i japë dëmshpërblimin. Ish-punonjësa Flora Hasanaj po përballet sot me probleme familjare dhe sëmundje të rëndë, ku ky dëmshpërblim është e vetmja mundësi për kurim. Por ndërsa SPAK mbyll sytë përballë shkeljeve të rënda të ligjit dhe vendimeve të gjykatës, duket se për Drejtorinë e Tatimeve nuk ekziston më as ligji, por as normat më njerëzore.
Të zhytura në akuza, afera korruptive dhe punësime elektorale, institucionet shtetërore duket se llogaritë i bëjnë veç për interesa politike, e madje duke shkelur ligjin më të dyja këmbët. Jo vetëm shkelje ligji, të vendimeve të gjykatave, por edhe të çdo norme njerëzore dhe morale, në kurriz të punonjësve të ndershëm. Një prej rasteve më skandaloze e shkeljes së rëndë të ligjit regjistrohet në Drejtorinë e Tatimeve, ku drejtori Ilir Binaj dhe ish-drejtori Ceno Klosi, në një vend normal, do të ishin duke u përgjigjur para prokurorisë dhe gjykatës. Flora Hasanaj u largua padrejtësisht nga puna nga Ceno Klosi pasi kërkoi leje për të marrë pjesë në varrimin e të motrës që ndërroi jetë. Për Ceno Klosin, vdekja e njeriut të afërm dhe nderimi i saj përbënte shkelje, ndaj e shkarkoi nga puna. Largimin arbitrar nga puna Flora Hasanaj e dërgoi në gjykatë, ku kjo e fundit vendosi që znj. Hasanaj të rikthehej menjëherë në punë dhe të dëmshpërblehej me pagat për kohën e largimit të padrejtë.
Vendimi i Gjykatës nuk u zbatua, derisa në datën 3 korrik të këtij viti, me anë të një vendimi tjetër gjykate, u urdhërua Dega e Thesarit në Tiranë të vendos sekuestro konservative ndaj Drejtorisë së Tatimeve për ekzekutimin e vendimit në favor të ish-punonjëses Flora Hasanaj, në vlerën e 3.6 milionë lekëve të rinj. E ndodhur pa punë dhe pa një rrogë, Hasanaj duhet të përballet edhe me problemet familjare dhe një sëmundje të rëndë, ku pagesa e mohuar është shpëtimi i vetëm për kryerjen e ekzaminimeve shëndetësore. Ndërsa Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj, në shkelje të ligjit dhe vendimeve të Gjykatës, pret mbushjen e moshës së pensionit, për mos ta rikthyer në detyrë, njëkohësisht i mban peng edhe dëmshpërblimin, e vetmja shpresë për kurimin e sëmundjes së rëndë nga Flora Hasanaj. Largimi nga detyra i Flora Hasanajt erdhi si pasojë e një fatkeqësie familjare dhe ironikisht sot një tjetër padrejtësi, po nga Tatimet, po bëhet shkak për një tjetër fatkeqësi. Ndërsa Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj refuzon zbatimin, 4 ditë pas Urdhrit të Ekzekutimit, më 7 korrik, Gjykata Administrative merr një tjetër vendim, duke i kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që brenda 15 ditësh të ekzekutojë pagesën në vlerë 3.6 milionë lekësh dhe rikthimin në punë të Flora Hasanaj. Ndërsa afati i fundit i vendosur nga Gjykata u shkel sërish sic ligji dhe vendimet e tjera, vlen të theksohet se në pikën 4 të këtij vendimi edhe vetë gjykata thekson se në rast moszbatimi, çështja do të kalojë në Prokurori për ndjekje penale.
Në rastet e konstatimit të mosekzekutimit të vendimeve, pa shkaqe të përligjura, gjyqtari kërkon marrjen e masave disiplinore dhe, kur është rasti, paraqet edhe kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.
Ndërsa ish-drejtori dhe drejtori i Tatimeve trajtojnë këtë institucion si çiflig personal, SPAK duket se është në ndjekje të ish-zyrtarëve që kanë zbatuar ligjin dhe rekomandimet e institucioneve të tjera. Një rast, aspak i ngjashëm, por me referencë ligjore të vlefshme për këtë abuzim nga Tatimet, është ai i ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia. Në rastin e Spahisë, SPAK e mori të pandehur për një shkarkim nga puna, sepse ish-kryebashkiaku zbatoi rekomandimin e KLSH-së për zyrtarin abuzues. Ndërsa në rastin e Flora Hasanajt, ku edhe Gjykata është shprehur me vendim se shkarkimi ka qenë i padrejtë, prokurorët e SPAK mbyllin sytë, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për selektivitetin dhe përdorimin që i bëhet këtij institucioni.