Gazetari Gjergj Erebara ka komentuar sulmin e sotëm të Edi Ramës ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu që rrëzoi një urdhër qeveritar për vënien nën sekuestro të një pallati.
Erebara shkruan në faqen e tij në Facebook, se Kryetari i Këshillit Shkencor (i referohet Ramës) me reagimin e tij na tregon, se ka nevojë për njohuri elementare, e jo njohuri prej juristi.
Kadastrës i është dëmtuar ndërtesa nga tërmeti (besoj e ka fjalën për atë të vitit 2019). Zyrat e kadastrës nuk qenkan riparuar pas tërmetit për gjashtë vjet me radhë, (më lejoni t’ju kujtoj se jemi në vitin 2025).
Taksapaguesit (shqiptarë dhe evropianë) kanë shpenzuar mbi një miliardë euro për të rindërtuar objektet e dëmtuara nga tërmeti e megjithatë, zyra e kadastrës, qenka akoma e pariparuar.
Tani kadastra pretendon të marrë një pallat për të cilin Rama thotë se është ‘totalisht pa leje’, a thua se pallati është një objekt i padukshëm që shfaqet papritur. Pastaj ngatërron konceptin ligjor të konfiskimit me atë të sekuestrimit.
Sepse, nëse pallati në fjalë do të ishte ‘konfiskuar’, siç shprehet kryetari i këshillit shkencor, atëherë prona do ishte regjistruar nën pronësinë shtetërore dhe askush nuk mund të ngrinte pretendime.
Kështu që gjasat janë që pallati është nën sekuestro dhe jo ‘i konfiskuar’.
Mendoj që kryetari i këshillit shkencor ka nevojë urgjente për njohuri elementare jo prej juristi’, shkruan Gjergj Erebara në Facebook.