Rreth dhjetë vende evropiane janë shprehur të gatshme të dërgojnë forca në Ukrainë si pjesë e një force sigurie shumëkombëshe që synon të garantojë sigurinë e vendit pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Sipas Bloomberg, faza e parë e planit do të përfshijë vendosjen e trupave, përfshirë qindra ushtarë britanikë dhe francezë , larg vijës së frontit, me qëllim ofrimin e trajnimit dhe përforcimeve për ushtrinë ukrainase.
Detajet e misionit janë ende në diskutim, ndërsa zyrtarët evropianë presin miratimin përfundimtar të presidentit Donald Trump.
Një fazë e mëvonshme e planit kërkon një mbështetje nga SHBA-ja për të kontribuar në ndarjen e inteligjencës, mbikëqyrjen e kufijve, furnizimin me armë dhe ndoshta mbrojtjen ajrore.
Trump, në një deklaratë për Fox News, e përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore amerikane, por shprehu gatishmëri për të ofruar mbështetje ajrore.
“Kur bëhet fjalë për sigurinë, ata janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në terren. Ndërsa ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me gjëra të ndryshme, veçanërisht – ndoshta – me patrullime ajrore, sepse askush nuk ka atë që kemi ne.”
Ndërkohë, zyrtarët evropianë mbeten në pritje të një angazhimi amerikan për ndarjen e inteligjencës dhe furnizimin me armë nëpërmjet partnerëve të tyre në kontinent, raportoi Bloomberg.