Deputetët e Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë Kuvendin. Në seancën që u mbajt këtë të mërkurë (20 gusht), asnjë nga dy propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk mundi të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila nuk ishte pranuar nga opozita edhe në tentativat e kaluara për konstituimin e Kuvendit. Haxhiu mundi të marrë vetëm 57 vota pro, teksa 56 deputetët votuan kundër dhe 3 abstenuan.
Pasi Haxhiu dështoi të zgjidhej, Glauk Konjufca propozoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Megjithatë, as kjo e fundit nuk mundi të marrë 61 votat e nevojshme. Seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht.
Mbledhja e sotme vjen 2 ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që i vendos deputetët përballë disa detyrimeve për të bërë të mundur konstiutimin e Kuvendit.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh, i cili ka hyrë në fuqi prej datës 18 gusht. Po ashtu, një kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë, nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme.
Gjithashtu, ky vendim detyron të gjithë deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.