36 vjet pas rënies së komunizmit, shoqëria shqiptare ka gjithnjë e më shumë nevojë për një shqyrtim të ftohtë e historik të së shkuarës, përmes dokumenteve arkivore, studimeve ekonomike, sociale, kulturore e psikologjike. Filozofia dhe praktika e regjimit komunist, me pasojat e tij traumatike, e ndanë shoqërinë dhe lanë gjurmë që ende sot kërkojnë shërim.
Çdo vit, AIDSSH e kthen gushtin në muaj kujtese, duke përkujtuar dy data të njohura ndërkombëtarisht:
23 Gusht – Dita Europiane e Kujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare.
Shpallur nga Parlamenti Europian (Rezoluta e 2 prillit 2009, 2008/2071(INI)) dhe e mbështetur nga Deklarata e Pragës (2008) dhe rezoluta të tjera të OSBE-së, kjo ditë lidhet me përvjetorin e nënshkrimit të Paktit Ribbentrop–Molotov (1939), që solli Luftën e Dytë Botërore, Holokaustin dhe dekada shtypjeje e ndarjeje të Evropës.
30 Gusht – Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Rezoluta A/RES/65/209, 2010), që përkujton viktimat e zhdukjeve me forcë dhe mbështet kërkesën e familjeve për drejtësi dhe të vërtetë.
Në këtë frymë, AIDSSH ndërton çdo gusht një kalendar aktivitetesh për të nderuar viktimat e së shkuarës, për t’u përballur me trashëgimitë e diktaturës komuniste (1944–1991), për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për të nxitur reflektimin qytetar.
Aktivitetet e gushtit 2025
22 Gusht – “Plagët mund të shërohen”-Kujtojme ata që vujatën në kampeve të internimit në Valias dhe Kodër-Kamëz.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizon prezantimin e dokumentarit “Ana tjetër e Valiasit”, i cili sjell në vëmendje përmes dëshmive dhe dokumenteve arkivore historinë e punës së detyruar në minierën e Valiasit gjatë periudhës komuniste.
Aktiviteti do të hapet nga Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula, me fjalën e mirëseardhjes. Më pas do të mbahen fjalë përshëndetëse nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhe (TBC), Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, z. Ethem Fejzollari, si dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Rakip Suli (TBC).
Në vijim, mjeku psikiatër dhe psikoterapist Neli Demi do të përcjellë një mesazh me video mbi temën “Kujtesa që shëron: Drejtësia riparuese dhe plagët e komunizmit”, ndërsa në përmbyllje parashikohen diskutime nga të afërm, familjarë dhe studiues.
Ky dokumentar është pjesë e nismave të Autoritetit për të ndriçuar të shkuarën përmes dokumenteve dhe dëshmive, duke kontribuar në procesin e kujtesës historike dhe të drejtësisë tranzitore. Takohemi ne AIDSSH ora 11.00. Per pjesmarrje na shkruani ne info@autoritetitdosjeve.gov.al ose Brunilda.Çërraga@autoritetitdosjeve.gov.al . Mediat janë lutur të kontaktojne permes emalit : Migena.Demirxhi@autoritetitdosjeve.gov.al.
23 Gusht – Vizitë përkujtimore në ish-kampin e internimit në Tepelenë. (Ora.11.00)
Në Ditën Europiane të Kujtimit, AIDSSH do të kryejë pelegrinazhin e përvitshëm në kampin famëkeq të Tepelenës (1949–1953), ku mijëra të pafajshëm – gra, fëmijë, të moshuar – u mbajtën në kushte çnjerëzore. Prej vitit 2017, Autoriteti punon që kjo hapësirë të kthehet në muze dhe vend edukimi për brezat.
28 Gusht – Shkodër, Simpoziumi “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes 1944–1991” Simpoziumin “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, i cili do të zhvillohet më 28 gusht 2025, ora 09:30, në ambientet e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur ky aktivitet, organizuar në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, UniShko, Shoqatën Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, Muzeun e Kujtesës Shkodër dhe ICPM, synon të hedhë dritë mbi historinë e errët të kufijve gjatë periudhës komuniste, duke nxjerrë në pah dëshmitë, dokumentet dhe rrëfimet e atyre që vuajtën.
AIDSSH bashkë me partnerët do të përkujtojë përpjekjet e shqiptareve për t’i shpërtuar izolimit si dhe ata që nuk u kthyen kurrë në shtëpi, duke theksuar domosdoshmërinë e zbardhjes së fateve të tyre dhe të drejtës së familjarëve për të vërtetën. Mediat janë lutur të kontaktojne permes emalit : Migena.Demirxhi@autoritetitdosjeve.gov.al.
Siç shprehet psikologu social Michał Bileëicz, autor i librit Traumaland: “Çdo traumë duhet të njihet për t’u shëruar. Dhe kjo njohje është shpresa jonë më e madhe.”
Ky është mesazhi që AIDSSH përcjell përmes Fushatës së Gushtit 2025: të kthejë kujtesën në hapësirën publike, të nxisë reflektimin qytetar dhe të kontribuojë në shërimin e plagëve të së shkuarës.
JA DHE HISTORIKU I AKTIVITEVE PËR MUAJT GUSHT NGA 2017-2024
30 GUSHT 2017
Me rastin e përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, më 30 gusht 2017, AIDSSH ndërmori nismën e parë për të dokumentuar dhe ndriçuar historinë e errët të vuajtjeve mizore të të internuarve, në aktivitetin e zhvilluar pranë ish-kampit famëkeq të Tepelenës.
-Prezantimi i projekt-idesë për Muzeun e Kampeve të Punës së Detyruar në Shqipëri.
-Memoriali i fëmijëve të vdekur parashikohej të ngrihej në qendër të kompleksit muzeal. Kazermat dhe ndërtesat e kompleksit “definojnë” një oborr pothuajse katror. Në mesin e këtij katrori me brinjë prej 131 m, do vendoset instalacioni në kujtesë të këtyre qenieve të pafajshme, që ndërruan jetë në situata ç ‘njerëzore. Fëmijët në instalacion përfaqësohen nga qiparisa, pemë me gjelbërim gjithë vitin, që tregojnë lidhjen me qiellin dhe personifikojnë elegancën dhe brishtësinë e fëmijëve në formë.
JAVA MUZE MEMORIAL/TEPELENË 23-30 GUSHT 2018
Në vitin 2018, AIDSSH, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Harabel dhe MEMO, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, me mbështetjen e PNUD Shqipëri, Qeverisë së Italisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE, në kuadër të memories organizoi Ditën Muze/Memorial Tepelenë.
Aktivitete të ndryshme u zhvilluan përgjatë datës 23 gusht në Tepelenë, në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare:
Ekspozita dokumentare “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”, dokumentoi vuajtjet e të internuarve, duke u paraqitur materiale voluminoze, ekspozuar objekte muzeale dhe plotësuar shumë formularë për njohje me dosje individuale. Në këtë aktivitet u ekspozuan dokumentet dhe dosjet e Ish-Sigurimit që dokumentonin persekutimin komunist të pjesëmarrësve në kryengritjen e Zhapokikës, klerit vendas, kampin e Bënçës, të internuarit; të arratisurit, të vrarët në kufi, bandat e diversantëve e të tjera me pjesëmarrjen e komunitetit vendas.
Simpoziumi shkencor për kuadrin historik e juridik të punës së detyruar në diktaturë.
Prezantimi i zbatimit të projektit të Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar/Memorialit të fëmijëve nga arkitekt Gjon Radovani
Ceremoni për dhënie dekoratash-AIDSSH në përmbushje të misionit të vet, në kuadër të Javës Muze Memorial/Tepelenë 23-30 gusht 2018 i drejtohet Presidentit të Republikës së Shqipërisë asokohe me sugjerime për dekorimin e disa të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, personalitete frymëzuese, të cilët me qëndresën e sakrificën e tyre i dhanë përballjes përmasë njerëzore. Mbështetur në nenin 3 , të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë” u vlerësua dhënia e dekoratave për:
-Znj. Gjelë Gjikola
-Znj. Mrikë Gjikola
-Znj. Drane Jakja (pas vdekjes)
-Z. Lek Pervizi
Projekte artistike-sociale
Projektet Sikur Mama…i shoqëruan të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp me kamion deri në hyrje të tij, me një këngë të kënduar nga Mariza Ikonomi, e ardhur nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar;
Shtrati-dhomë, që rindërtoi strukturën e drunjtë në të cilën jetonte dhe flinte një familje e tërë sipas dëshmive.
I përkasim njëri-tjetrit, që rrëfen në vetë të parë histori të mbijetesës në Tepelenë, synuan që përmes ndërveprimit t’i njihnin të pranishmit me kampin dhe të nxisnin reflektim.
Instalacion artistik “Edhe muret kanë vesh”
Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë në kamp e jashtë tij blenë dhjetëra qiparisa (82) për Memorialin e fëmijëve që nuk i mbijetuan Tepelenës, hapi i parë për ngritjen e Muzeut Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar.
Koncert me grupet “Asgjë sikur dielli” dhe me 3 Muskutierët me praninë e shumë të rinjve brenda kampit si triumf i jetës mbi të keqen.
25 gusht-Pelegrinazh i të rinjve dhe të pranishmëve në kampin e Tepelenës deri në Turan e kthim, në rrugën që kanë përshkruar çdo ditë gratë, të moshuarit dhe të rinjtë në kampin e punës së detyruar në Tepelenë
Shfaqja e dokumentarit “Edhe muret kanë veshë”, Pallati i Kulturës Tepelenë
27 gusht-Prezantimi i platformës interaktive Kampi i Tepelenës/Dialogët e Tepelenës dhe “Edhe muret kanë vesh” me dëshmitë gojore të të mbijetuarve.
28 gusht-Shfaqje filmi me tematikë mbi kampin e Tepelenës. Filmi artistik është bazuar mbi dëshmi të të mbijetuarve të Tepelenës dhe sjell pamje të jetës atje
30 gusht- Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve Instalacion masiv me mijëra qirinj për të zhdukurit në shesh, për të nderuar e përkujtuar ata që ende sot nuk kanë një vend ku të prehen
23 GUSHT 2019, TEPELENË
Rikthim në Tepelenë. Ceremoni përkujtimore me të mbijetuarit e kampit dhe trashëgimtarët e tyre. Shfaqje e filmit “Azizi”, Luljeta Progni, Gentian Kurti, Konrad-Adenauer Tiranë.
18 GUSHT 2019 –“DINJITETI PËRBALLË TOTALITARIZMIT, GUSHT 2019”,
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë dhe aktorë të shoqërisë civile, hapi sot javën përkujtimore “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”, në kuadër të Ditës Europiane të Viktimave të Totalitarizmit (23 gusht) dhe Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve (30 gusht).
Aktivitetet nisën me një ceremoni përkujtimore pranë memorialit kombëtar të internim-dëbimeve, ku u nderua sakrifica e mijëra të internuarve. Në vijim, në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela” u hapën dy ekspozita: “Historitë e patreguara të Lushnjës”, me profile autentike të të internuarve, si dhe një ekspozitë arkivore me materiale të deklasifikuara të AIDSSH mbi persekutimin komunist në zonë.
Në sallën e teatrit u prezantua projekti i Autoritetit për kthimin e qendrave të internimit në vende kujtese, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe ish-të përndjekurve. Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, theksoi rëndësinë e dokumentimit dhe rrëfimit të historive të patreguara, duke i shndërruar ato në mesazhe për brezat. Ekspozita dhe materialet arkivore mbeten të hapura për publikun deri në fund të muajit gusht.
23 GUSHT 2021, TEPELENË
Ditën Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit, ekipi i Autoritetit zhvilloi pelegrinazhin e përvitshëm në ish-kampin e internimit të Tepelenë, vend ndëshkimi gjatë regjimit komunist, 1949-1953. Pas vizitës përkujtimore në kamp, me të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, përfaqësues të shoqatave të të drejtave të njeriut, takimi vijoi në pallatin e kulturës Tepelenë, me aktivitetin e radhës për të zhdukurit, që AIDSSH organizoi në bashkëpunim me ICMP dhe pushtetin lokal në Tepelenë, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Prezantohet në Tepelenë udhëzuesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm. Autoriteti prezantoi njëherësh në Tepelenë ekspozitën “E shkuara e pakryer”, me profile të të pagjeturve të komunizmit, dëshmi të mbledhura nga familjarë të tyre në kuadër të projektit dhe materiale të përzgjedhura nga hulumtimi në historikët e Sigurimit.
2022, TEPELENË
Ekspozitë e përhershme informuese në ish-kampin e internimit në Tepelenë
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, në mbyllje të projektit ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane, përuruan ekspozitën e përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë, në orën 11.00, në mjediset e ish-kampit.
23 GUSHT 2022, TEPELENË
Pelegrinazh i përvitshëm në kampin e Tepelenës, në kujtim të njerëzve pa faj që vuajtën në ish-kampin me tela me gjemba ose humbën jetën atje. U shfaq filmi “Varret pa emër” realizuar nga Kujto.al, në bashkëpunim me Autoritetin dhe ICMP, në kuadër të projektit: “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, të mbështetur nga BE dhe Ambasada Zvicerane.”
Ekspozita e jashtme e përhershme informuese u përgatit me materialin e hulumtuar nga Instituti i Historisë dhe mbi të dhënat arkivore mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë.
23 GUSHT 2023, TEPELENË
Mbahet Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar “Tepelena në dy kohë”-nga kazermat italiane te kampi me tela me gjemba Në dritën e dokumenteve arkivore, 14 studiues, akademikë nga institutet partnere të AIDSSH-së, në Shqipëri dhe Itali, morën në shqyrtim Tepelenën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të pasluftës në vitet e funksionimit të kampit të internimit.
Në këtë Simpozium u trajtuan në dritën e dokumenteve arkivore, Tepelena e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të pasluftës në vitet e funksionimit të kampit të internimit. Historia e kampit zë fill me pushtimin italian të Shqipërisë në 1939 dhe zhvillimin në territorin e Tepelenës të luftimeve mes italianëve e grekëve. Më pas, kazermat e ish-garnizonit italian, u përdorën për të zhvendosur aty familjet e internuara më herët në Turan e rrethina. Kampi i rrethuar me tela me gjemba u mbyll në 1953, prej kushteve të vështira të jetesës dhe vdekshmërisë së lartë.
Simpoziumi u zhvillua në dy panele me kontribute nga AIDSSH, Instituti Italian i Historisë Moderne dhe Bashkëkohore, Universiteti i Havardit, Universiteti i Tiranës, Universiteti Italian i Teramos, Universiteti i Korçës, Universiteti i Elbasanit, Institutit i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Universiteti Bedër, Biblioteka Franceskane, platforma Kujto al, Shoqata e Mësuesve të Historisë etj.
23 GUSHT 2024, Nga Porto-Palermo ne TEPELENË
22 gusht- “Porto Palermo Tjetër- Nga kamp, në përkujtim.” Ne kalane Porto Palermo AIDSSH kujton viktimat pafaj. në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë e Himarës, organizoi një ceremoni përkujtimore në kalanë e Porto Palermos, dikur kamp internimi për gra, fëmijë e pleq gjatë viteve 1949–1950.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Kuvendit, institucioneve shtetërore, të mbijetuar e familjarë të viktimave. U sollën dëshmi rrëqethëse të ish-të internuarve, poezi e interpretime artistike mbi përjetimet e tyre, si dhe një ekspozitë me pikturat e Lek Pervizit kushtuar vuajtjeve në këtë kamp. Përfaqësuesit e familjeve u nderuan me çmime simbolike solidariteti.
Kryetarja e AIDSSH, znj. Gentiana Sula, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe kthimit të vendeve të vuajtjes në vende kujtese për edukimin e brezave. “Përkujtimi është një akt jetik për të kuptuar pasojat e mekanizmave totalitarë dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e paqësore në të ardhmen,” u shpreh ajo.
23 Gusht 2024 -Rikthim nga Porto-Palermo në Tepelenë për të kujtuar dhe nderuar vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në Tepelenë. Me Burbuqe Lamçen, e cila u internua 10 vjeçe ne Tepelenë bashkë me familjen e saj. Tregoi për jetën e tmerrshme në kamp, kujtoi familjet bashkëvuajtëse dhe vdekjen e fëmijëve, kujtoi urinë, dhe brutalitetin. Ndër të tjera tregoi për dënimin e përkohshëm në birucë të tre vajzave të vogla që u larguan nga kampi jashtë vëmendjes së rojeve. AIDSSH vendos kurorën e përvitshme të nderimit dhe përkujtimit të viktimave.
30 GUSHT 2023- SHENJËZOHET: VENDVARRIM I DYSHUAR TEK VORRET E RRMAJIT NË SHKODËR
-Përkujtohet 30 gushti, Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve – Shenjëzohet: Vendvarrim i dyshuar tek vorret e Rrmajit në Shkodër . Autoriteti zhvilloi aktivitete dhe takime për adresimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë komunizmit.
U diskutua projekti për përcaktimin e autoriteteve përgjegjëse për gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave, si dhe ruajtjen e vendvarrimeve të dyshuara me pjesmarrjen e OSBE, shoqata të të përndjekurve, përfaqësues të policisë, prokurorisë dhe grupe interesi.U theksua nevoja për: qartësim kompetencash institucionale, leje gërmimi/zhvarrimi, koordinim ndërinstitucional, bazë unike të dhënash për të zhdukurit. Shkodra dhe rrethinat ishin ndër zonat më të goditura nga diktatura komuniste: me dënime, internime, ekzekutime dhe përndjekje deri në vitin 1990.
Në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, u shënjua vendi i dyshuar si varr masiv tek “Vorret e Rrmajit”.Në tabelë: ndalohet çdo ndërhyrje deri në kryerjen e kërkimeve.Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, u takua me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci për projekte të përbashkëta të kujtesës dhe dialogut lokal.
Autoriteti ka marrë në shqyrtim: kërkesën e shtetasit Hamza Kazazi për eshtrat e të atit, 13 familjarëve për viktimat e pushkatuara në Zallin e Kirit, Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, Shkodër dhe Arqipeshkvisë Shkodër për 28 priftërinj të pushkatuar.
Verifikim administrativ për vendvarrime të dyshuara në: Vorret e Rrmajit, ish-ndërmarrjen artistike Shkodër, fushën e aviacionit në Shtoj,Guci.
30 GUSHT 2024 – SIMPOZIUM NË KUFIJTË E DIKTATURËS 1944-1991.
Kufijtë e diktaturës 1944-1991, AIDSSH simpozium në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Kalimi i palejuar i kufirit në vitet 1944-1991, sfidat dhe pasojat e tij tek njerëzit që guxuan ta shkelnin atë, dokumentimi i motiveve, ndërtimi i profilit të shkelësit të kufirit, identifikimi i shtigjeve dhe kthimi i tyre në vende të kujtesës, janë disa sfida që i paraprijnë aksionit të AIDSSH për hetimin e vendvarrimeve të dyshuara, për trupat e atyre që nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. AIDSSH në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politik Demokrat, Bashkine Pogradec; Departamentin e Historisë (FHF); Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup; Institutin e Integrimit dhe Ish-të Përndjekurve Politikë dhe ICMP-n (Komisionin Ndërkombëtar të të Pagjeturve) mbajti në datën 28 Gusht 2024 simpoziumin:”Nga e kaluara në përkujtim- Kufijtë e diktaturës 1944-1991″ ku morren pjese rreth 14 studiues vendas.
Çfarë synojmë në vazhdimësi.
Ne synojmë të nderojmë historitë e njerëzve që u detyruan me forcë të jetojnë në këto kampe dhe të parandalojmë që tragjedia e tyre të mohohet e të harrohet.
Përmes tregimeve individuale të viktimave të ideologjisë komuniste ne ruajmë kujtimin e tyre, reflektojmë ndaj çdo shenjë të padrejtësisë dhunës dhe shtypjes .
Ne i kërkojmë të rinjve të mos jenë indiferentë dhe të mësojnë nga e shkuara.
Angazhim ynë ndaj tyre duhet të jetë një premtim i vazhdueshëm për të gjithë ne. Kujtimi i tyre nuk duhet të kufizohet në një ditë të vetmuar çdo vit. Indiferenca nuk është një opsion. Regjimet totalitare nuk i përkasin të shkuarës!