Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në studion e News24, ka shprehur shqetësimet e saj mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se veprimet me forcë nga ana e qeverisë cenojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Tendenca për të treguar forcën nga ana e qeverisë është e rrezikshme për integrimin evropian të Shqipërisë. Tregimi i forcës me policinë e ushtrinë është problematik. Shoh një tendencë për të vendosur dhunën përmes ligjit dhe jo përmes zbatimit të ligjit,” tha Tabaku.
Deputetja shprehu shqetësim edhe për ndryshimet ligjore të fundit:
“Kam parë me shqetësim të madh ndryshimin e Kodit Penal, ndryshimin e akuzës për korrupsionin, ligjin për zonat e mbrojtura, etj, vetëm sepse nuk i pëlqejnë dikujt. Kjo nuk është Shqipëria e vitit 2025 dhe as Shqipëria evropiane,” u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se vendit nuk i duhen ligje të shumta të miratuara në nxitim, por reforma të thella në thelb:
“Na duhet balanca e pushtetit, kontrolli i institucioneve, një parlament i fortë, institucione që kërkojnë llogari. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi në këtë fazë të hapjes së negociatave të integrimit.”
Duke e lidhur me zhvillimet ndërkombëtare, ajo theksoi se zgjerimi i BE-së është kthyer në çështje sigurie pas agresionit rus ndaj Ukrainës, por kjo nuk duhet të bëhet justifikim për të fshehur problemet e brendshme të Shqipërisë.