Familja e një babai nga Zelanda e Re, i cili është në arrati prej gati katër vitesh bashkë me tre fëmijët e tij, ka bërë thirrje publike që ai të kthehet në shtëpi. Apeli vjen si një nga reagimet e para publike të familjes që prej zhdukjes së tij.
Tom Phillips u largua në dhjetor të vitit 2021 drejt zonës së ashpër malore të Waikato-s me fëmijët e tij, Jayda (12 vjeç), Maverick (10) dhe Ember (9), pas një konflikti me nënën e tyre. Phillips nuk ka kujdestari ligjore për fëmijët.
“Na mungon shumë, më mungon të jem pjesë e jetës tënde dhe dua të shoh ty dhe fëmijët”, tha motra e tij, Rozzi Phillips, në një intervistë me gazetarin Paddy Gower. Ajo shpreson që mesazhi i saj të arrijë tek vëllai, pasi përpjekjet për ta kontaktuar me email dhe telefon kanë dështuar.
Edhe nëna e tij i ka dërguar një letër prekëse, e cila u lexua gjatë intervistës.
“Më dhemb sa herë shoh fotot e tua dhe të fëmijëve, duke menduar se çfarë mund të kishte qenë nëse nuk do të ishe larguar. Jayda, Maverick, Ember, ju dua shumë dhe më mungoni çdo ditë. Shpresoj që një ditë të ktheheni”, shkruante ajo.
Familja e përshkruan Tomin si një njeri me humor dhe aftësi të jashtëzakonshme për të mbijetuar në natyrë, një mjeshtër ndërtimi, gjuetie dhe jetese në kushte ekstreme. Kjo ka bërë që fshehja e tij në zonën e largët të Marokopës, një vendbanim i vogël bregdetar me më pak se 100 banorë, të zgjasë kaq shumë.
Policia e ka pasur të vështirë ta lokalizojë, ndërsa janë ngritur dyshime se ai mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë. Motra e tij thotë se nëse kjo është e vërtetë, do të donte që të paktën të kishte një shenjë që familja dhe fëmijët janë mirë.
Phillips nuk është i panjohur për zhdukje të tilla. Në shtator 2021, ai u shpall i zhdukur për 19 ditë bashkë me fëmijët, përpara se të shfaqej papritur në fermën e prindërve, duke pretenduar se kishte qenë në një “kamping të gjatë për t’u qetësuar”. Ai u akuzua për humbje kohe dhe burimesh të policisë, por pak muaj më vonë u zhduk sërish.
Prej asaj kohe, pamjet dhe dëshmitë për të kanë qenë të rralla. Policia beson se në vitin 2023 ai ka kryer një grabitje banke dhe një tentativë grabitjeje në një dyqan të vogël, ndërsa në tetor 2024 u shfaq në një video të regjistruar rastësisht nga gjuetarë të rinj. Megjithatë, kërkimet nuk dhanë rezultat.
“Është koha që fëmijët të dalin nga kjo situatë dhe të vazhdojnë jetën e tyre. Gjithçka mund të zgjidhet, por ka kaluar shumë kohë. Le ta mbyllim këtë histori dhe le të rikthehen në shtëpi të sigurt”, tha detektivi Andrew Saunders.