Ballina Ekonomia Referencat e reja të pronave, APL: Rrezikohet rritja artificiale e çmimeve dhe...

Referencat e reja të pronave, APL: Rrezikohet rritja artificiale e çmimeve dhe legjitimimi i informalitetit në ndërtim

14
0

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka depozituar pranë Ministrisë së Financave një sërë vërejtjesh dhe rekomandimesh mbi projektvendimin për metodologjinë e përcaktimit të vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”. Në dokumentin e dërguar për dijeni edhe Kryeministrisë e medias, APL ngre shqetësime mbi mungesën e transparencës metodologjike, krijimin e pasigurive juridike dhe efektet e mundshme deformuese në tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas tyre, projektvendimi aktual rrezikon të nxisë rritje artificiale të çmimeve, të legjitimojë situata informale në sektorin e ndërtimit dhe të transferojë barrën e boshllëqeve administrative mbi tatimpaguesit. Për këtë arsye, Aleanca  kërkon rishikim të dispozitave problematike dhe përcaktim të kritereve më objektive e të verifikueshme, në mënyrë që të garantohet barazi tatimore, siguri ligjore dhe neutralitet fiskal.

Deklarata thekson se termi “mungesë logjike ekonomike” në projektvendim nuk shoqërohet me ndonjë kriter të qartë, objektiv apo teknik, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe rrezik për subjektivitet në përzgjedhjen e të dhënave. Përjashtimi selektiv i transaksioneve që shënojnë çmime më të ulëta nga referenca, pa një argumentim të qartë, priret të krijojë një pasqyrë të njëanshme të tregut dhe të prodhojë një efekt rritës artificial të çmimeve, duke cenuar parimin e neutralitetit fiskal. Nuk jepet asnjë garanci se janë filtruar transaksionet e fryra apo të lidhura me fenomene të paligjshme, si p.sh. pastrimi i parave, çka mund të shtrembërojë më tej çmimet mesatare.

Po kështu, legjislacioni aktual mbi tatimin e të ardhurave ka vendosur tashmë një vlerë minimale nën të cilën transaksionet e shitblerjes nuk pranohen. Projektvendimi ndjek të njëjtën qasje duke mos reflektuar rastet e rënies së çmimeve, edhe kur këto përfaqësojnë prirje reale tregu. Sipas APL, një politikë e tillë nxit vetëm prirjet rritëse të çmimeve, duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës. Si rrjedhojë, çmimet referencë rrezikojnë të përdoren më shumë si instrument fiskal për rritjen e të ardhurave, sesa si tregues real i tregut.

Projektvendimi parashikon që çmimi të ndikohet nga projekte të ardhshme zhvillimore apo plane strategjike urbane. Kjo qasje mbart rrezik, pasi përdor projeksione ende të pasigurta dhe jo të realizuara për të justifikuar çmime më të larta, ndërkohë që të dhënat reale të tregut përjashtohen si të papërshtatshme. Përdorimi i pritshmërive të pasigurta si faktorë çmim-formues është i pabazuar në logjikën ekonomike dhe mund të çojë në deformim të tregut.

APL gjithashtu ngre shqetësimin se neni 2, pika 12(c) e projektvendimit e konsideron “përdorues” edhe individin që mban në posedim një njësi pa leje ndërtimi apo dokument pronësie, pa aplikuar për legalizim, gjë që përbën një precedent të diskutueshëm. Kjo përbën një formë njohjeje fiskale të një situate të paligjshme, duke rrezikuar të perceptohet si nxitje indirekte e ndërtimit informal. Një dispozitë e tillë dobëson përpjekjet për uljen e informalitetit në sektorin e ndërtimit dhe krijon perceptim për legjitimim të faktit të kryer.

Për më tepër, sipas APL, i jepet përparësi të dhënave të verifikuara nga bashkia në terren kur këto rezultojnë më të mëdha se sipërfaqja e regjistruar në ASHK. Kjo qasje mund të përfshijë edhe ndërtime informale ose zgjerime të paligjshme, të cilat në këtë mënyrë trajtohen si fakte të kryera për qëllime fiskale. Mungesa e kufizimeve të qarta për zbatimin e kësaj dispozite krijon pasiguri juridike dhe hap rrugë për arbitraritet administrativ, thuhet në deklaratë.

Aleanca thekson gjithashtu se dispozitat e nenit 5 lejojnë klasifikimin fiskal të njësive ndërtimore në mënyrë të pavarur nga destinacioni i përdorimit të përcaktuar në dokumentet ligjore (leje ndërtimi, certifikata përdorimi, certifikata pronësie etj.). Ky rregullim rrezikon të relativizojë aktet juridike të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, duke krijuar mospërputhje mes dokumentacionit ligjor dhe trajtimit fiskal. Kjo bie ndesh me parimin e ligjshmërisë dhe krijon standard të dyfishtë mes subjekteve që respektojnë legjislacionin dhe atyre që veprojnë në mënyrë informale.

Po kështu, sa i përket vlerësimit alternativ të detyrimit tatimor, projektvendimi parashikon përdorimin e metodave alternative për përcaktimin e vlerës së taksueshme në mungesë të të dhënave zyrtare. Kjo dispozitë rrezikon të transferojë barrën e pasojave të mungesës së administrimit apo koordinimit institucional mbi tatimpaguesin, edhe kur ai nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Përdorimi i metodës alternative duhet të kufizohet vetëm në raste të identifikuara të shmangies së qëllimshme tatimore, jo si mekanizëm i përgjithshëm për të mbuluar boshllëqet administrative. Në të kundërt, kjo bie ndesh me parimin e mirëbesimit, barazisë tatimore dhe sigurisë juridike, përfundon Aleanca. /ekofin.al