Opozita në Serbia ka dyshime se në një skenar të paimagjinueshëm, Milorad Dodik mund të pasojë Aleksandër Vuçiç, duke hyrë në garën për President të Serbisë.
Zëvendëskryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Borko Stefanoviç, deklaroi të martën në mëngjes se po shqyrtohet seriozisht mundësia që Milorad Dodik, i cili pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Apelit të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës nuk është më president i Republikës Srpska, të jetë kandidat për president të Serbisë në zgjedhjet e ardhshme.
Në një intervistë për televizionin Nova S, Stefanović tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiç, mandati i dytë presidencial i të cilit po skadon dhe i cili, sipas Kushtetutës, nuk mund të kandidojë më, planifikon të kthehet në pozicionin e kryeministrit.
“Vuçiç dëshiron të marrë postin e Kryeministrit dhe po e përgatit Milorad Dodikun për postin presidencial. Ai ka shtetësi serbe dhe tani, pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës ia ka hequr postin, ai nuk mund të jetë më President i Republikës Srpska”, tha Stefanoviç.
Duke folur për protestat e mbrëmshme, Stefanović komentoi gjithashtu paraqitjen e Aleksandër Vučić para ambienteve të SNS në Palilula, ku dritaret ishin thyer më parë, dhe ndërhyrjet e policisë që përfshinin arrestime dhe rrahje të protestuesve.
Kjo, sipas tij, është një tjetër përpjekje nga autoritetet për të “mbajtur një gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur”. “Qeveria tani do të përpiqet ta klasifikojë këdo që del në rrugë nën termin shumë të gjerë “terrorizëm”. E gjithë kjo është një prelud i rritjes së represionit nga regjimi që e ka shkatërruar pothuajse plotësisht Serbinë dhe përfaqëson qeverinë më të keqe në historinë e saj”, tha Stefanović.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë pavarësisht presionit dhe dhunës.
“Pavarësisht se sa e vështirë është dhe pavarësisht se sa dhunë, arrestime dhe rrahje na vijnë nga ana tjetër, ne duhet të qëndrojmë të qetë. Rezistenca paqësore dhe e mençur, si mbrëmë në Beogradin e Ri kur policia i pa në heshtje protestuesit, është përgjigjja më efektive”, përfundoi Stefanović.