Në Milano, në pjesën kuqezi, gjetja e një “pyke” është kthyer në një prioritet absolut, me Igli Taren që po nxiton për t’i vendosur në dispozicion trajnerit Allegri një sulmues të ri për startin e sezonit në Serie A. Prej kohësh, Tare po negocionte për transferimin e Hojlund, por situata ka ndryshuar totalisht brenda pak orësh pasi tashmë në krye të listës është Victor Boniface, sulmuesi i Bayer Leverkusen.
Përfaqësues të nigerianit ndodhen në Milano për të mbyllur detajet e fundit financiare. Sipas mediave italiane, Tare ka gjetur një akord mbi bazën e një huazimi me detyrim blerje për 30 milionë euro. Ndryshe nga blerjet e fundit, afrimi i Boniface nuk ngroh shumë tifozët e “djallit”, kjo pasi sulmuesi mbylli një sezon me ulje ngritje si pasojë e dëmtimeve të shpeshta. Në çdo rast, në pritje për të kuptuar se si do të shkojnë këto negociata, Tare po mban të hapur edhe dy pista e tjera, Hojlund dhe Vlahovic.
Është e vërtetë që gjetja e një sulmuesi është një prioritet, por në këto ditë të fundit të merkatos Tare po punon edhe në gjetjen e një mbrojtësi të ri. Allegri kërkon një lojtar që të përshtatet me skemat e tij, 3-5-2 dhe 4-3-3.
Sipas Corriere dello Sport, në listën e dëshirave është edhe Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi vlerësohet shumë në Serie A, një lojtar me shumë eksperiencë që i përshtatet edhe skemave të Allegrit pasi tek Atalanta ka luajtur në mbrojtjen me tre.
Gjimshiti futet në vitin që i përfundon kontrata dhe Tare mund ta sjell në Milano me një buxhet të limituar. E përditshmja italiane, shton se Gjimshiti është profili ideal, një lojtar i besueshëm që mund të sjell eksperiencën e duhur në prapavijën e Allegrit.