Në vitin 2024, 3.8% e personave të moshës 16 vjeç e lart në BE raportuan se kishin nevoja të pambuluara për një ekzaminim ose kujdes shëndetetësor, një përqindje që varionte nga 0.2% në Qipro dhe 0.7% në Maltë deri në 13.4% në Greqi.
Shqipëria renditet në vend të parë në Europë për përqindjen e qytetarëve mbi 16 vjeç që raportojnë nevoja të paplotësuara për ekzaminim apo trajtim mjekësor.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, 15.2% e shqiptarëve kanë pohuar se nuk kanë mundur të marrin shërbimin e nevojshëm, shumë më lart se mesatarja e Bashkimit Evropian (3.8%) dhe e zonës së eurozonës (3.6%).
Sa u përket arsyeve të lidhura me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve shëndetësore (shumë shtrenjtë, shumë larg për t’u udhëtuar ose listat e pritjes), 2.5% e personave në BE raportuan se kishin nevoja të pambuluara, një përqindje që varionte nga 0.1% në Qipro dhe 0.3% në Maltë deri në 12.1% në Greqi.
Kostoja, pengesa kryesore
Problemi më i madh për qytetarët shqiptarë mbetet kostoja e lartë e shërbimeve shëndetësore. Më konkretisht, 10.2% e të anketuarve raportuan se nuk e përballojnë dot financiarisht mjekimin, ndërkohë që në BE kjo shifër është vetëm 2.5%.
Përveç çmimeve, listat e gjata të pritjes (2.5%) dhe distanca nga qendrat shëndetësore (1.8%) shtojnë vështirësitë e qytetarëve për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Arsye të tjera: nga mungesa e kohës tek pritja që problemi shëndetësor “të kalojë vetë”
Të dhënat e anketës së Eurostat, vënë në dukje gjithashtu arsye të tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me sistemin shëndetësor, të tilla si mungesa e kohës për 3.2% e të anketuarve apo mungesa e informacionit për mjekë të mirë për 1.5%.
Një pakicë e shqiptarëve rreth 0.2% vijon të ketë frika nga mjeku apo ekzaminimi dhe mjaft të tjerë rreth 2.4% presin që dhimbja apo problemi shëndetësore “të kalojë vetë”.
Krahasimi me vendet e tjera
Shqipëria qëndron në një grup me Serbinë (15.8%) dhe Greqinë (13.6%), vendet me problematikat më të larta. Ndërkohë, Mali i Zi (2.1%), Italia (2.2%) dhe Gjermania (0.7%) kanë tregues shumë më të ulët, që i afrohen standardeve më të mira evropiane.
Të dhënat e vendosin Shqipërinë si një nga vendet me akses më të kufizuar në kujdes shëndetësor në Europë, ku kostoja, pritja dhe mungesa e infrastrukturës mbeten barriera kryesore./ ekofin.al