Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka reaguar ashpër ndaj shkarkimeve të fundit në administratën lokale nga kryeministri Edi Rama. Në një intervistë për News24 ligjvënësi demokra akuzoi Ramën për abuzim me pushtetin dhe mbrojtje të korrupsionit.
Sipas tij, dorëheqjet e drejtorëve janë një përpjekje për të shmangur hetimet. Ai tha se Prokuroria duhet të nisë urgjentisht hetime, veçanërisht në Fier dhe Albpetrol.
Luan Baçi: Rama tregoi dhe njëherë se i duket vetja perëndi, kur shkarkoi drejtorët nëpër Bashki. Prokuroria të hetojë të gjithë drejtuesit lokalë, mund të kenë qenë për burg. Prandaj edhe kryeministri Edi Rama donte t’i shkarkonte. Kur jep dorëheqjen vërteton se je i korruptuar. Këta drejtorë japin dorëheqje sepse ata që e dinë se janë për në qeli. Sa i përket asaj që do të bëjë PD, presim shtatorin për të përcaktuar agjendën e opozitës.
Këto nuk ishin zgjedhje. Rama nuk ka zhvilluar zgjedhje, por kishim makineri-shtet që ka paguar dhe ka bërë çdo pisllëk që mund të bëhet për të marrë zgjedhjet. Aq shumë vjedhje ka bërë, sa dolën llogaritë përtej pritshmërive, shkuan 83 deputetë. Ishte grabitje ditën për diell. Kjo qeveri nuk do e ketë të gjatë. Nëse Prokuroria sidomos në Fier, te Bashkia dhe tek Albpetrol, nis hetime, do të gjejë afera të tmerrshme korruptive.