Ballina Kuriozitete Robotët testojnë shpella vullkanike për bazat e ardhshme të njerëzve në Hënë...

Robotët testojnë shpella vullkanike për bazat e ardhshme të njerëzve në Hënë dhe Mars

19
0

Një ekip shkencëtarësh evropianë ka zhvilluar një projekt novator që synon të përdorë robotë inteligjentë për të eksploruar shpellat e formuara nga lavat në Hënë dhe Mars, vende të cilat mund të shërbejnë si strehime natyrore për njerëzit në të ardhmen, shkruan The Sun.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Science Robotics, tregon testet e kryera në ishullin vullkanik Lanzarote në Spanjë, i zgjedhur për ngjashmëritë e tij mjedisore me sipërfaqen e Marsit dhe Hënës.

Projekti udhëhiqet nga Qendra për Inovacion në Robotikë pranë Qendrës Gjermane për Inteligjencë Artificiale (DFKI).

Sipas studiuesve, shpellat e lavës në trupat qiellorë pranë Tokës ofrojnë mbrojtje natyrale nga rrezatimi kozmik dhe goditjet e meteorëve, duke i bërë ato ideale për ngritjen e kampeve.

Tre tipe të ndryshme robotësh u përdorën për të eksploruar terrenet e vështira të Lanzarote-s, duke përfshirë fusha të gjera lave dhe kratere. Në një nga testet, robotët zbuluan një vrimë natyrore që çonte në një shpellë të nëndheshme.

Shkencëtarët e DFKI e quajtën këtë arritje një hap të madh për misionet e ardhshme në Hënë dhe Mars, duke theksuar se bashkëpunimi i sistemeve robotike autonome mund të jetë çelësi për eksplorimin e planetëve të tjerë.

Ky zbulim vjen paralelisht me studimet e vitit 2024, sipas të cilave jeta në Mars mund të shkaktojë ndryshime drastike te njerëzit. Ekspertët paralajmërojnë se graviteti i ulët (rreth 38% i atij të Tokës) mund të sjellë evoluime të reja biologjike, duke bërë që kolonët e parë të Marsit të zhvillojnë tipare ndryshe nga njerëzit në Tokë.